Me daljen e Vllaznisë dhe Skënderbeut në finale të Kupës së Shqipërisë, llogaritë janë bërë edhe më intriguese sa u takon 4 skuadrave që do të shkojnë në Kupat e Europës këtë sezon. Në Europë mund të shkosh edhe me vendin e katërt në kampionat, pasi korçarët janë të dënuar nga UEFA, ndërkohë që fitimi i Kupës nga shkodranët do lironte një vend në renditjen e kampionatit.
Dhe vendi i katërt është tashmë objektivi i Tiranës për të shpëtuar sezonin. Sot kampionët në fuqi ndeshen me Kukësin, që luan për prestigjin e tij, sepse shanset për në Europë i ka minimale, duke qenë prapa me pikë. Skuadra e Josës sigurisht nuk do t’i hapë rrugë Tiranës dhe bardheblutë e dinë mirë këtë gjë. Kryeqytetasit nuk kanë asgjë për të humbur dhe sigurisht do të luftojnë me të gjitha forcat për fitore.

Tirana vjen pas barazimit me Skënderbeut dhe një tjetër hap fals do t’ia bënte edhe më të fortë maloren drejt Europës. Trajneri Orges Shehi ka paralajmëruar edhe disa ndryshime për këtë ndeshje, por pa folur me emra konkretë. Ndeshja luhet në “Elbasan Arena”, në orën 16:00.
Po në këtë orë, në “Air Albania Stadium” luan Partizani me Kastriotin. Një ndeshje e rëndësishme për të kuqtë, të cilët në rast fitoreje mund të parakalojnë Teutën në krye të renditjes dhe të paktën për një natë mund të gëzojnë vendin e parë (Teuta ka 49 pikë, Partizani 47). Pas fitores 3-0 me Bylisin, skuadra e Dajës ka të gjitha shanset për një tjetër trepikësh në rrugën drejt titullit.
Krutanët për momentin janë komodë sa i takon luftës për qëndrimin në Superiore, por një humbje e mundshme në kryeqytet, e kombinuar me rezultatet e rivalëve, mund të sjellë rrezik. Partizani shihet si favorit për fitore, ka më shumë kualitet në raport me kundërshtarin, sulmi i tij është zhbllokuar dhe gjendja psikologjike është mjaft e mirë. Tri ndeshjet e tjera të javës së 28-të të Superiores luhen nesër.
Superiore, java e 28-të
Sot, ora 16:00
Kukësi-Tirana
Partizani-Kastrioti
Nesër
Skënderbeu-Teuta
Apolonia-Vllaznia
Laçi-Bylis
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje