Futboll

Superiore/ Vllaznia për të rimarrë kreun, Kukësi për të tretën radhazi

Teksa derbi i kryeqytetit dhuroi fare pak emocione të shtunën dhe la pas polemikat për gjykimin, ku Tirana ka rezerva për një penallti, java e 6-të e Superiores vazhdon sot me 4 ndeshjet e tjera. Janë ndeshje të rëndësishme për të dy kahet e renditjes, kreun dhe fundin e saj.

Vllaznia, pas barazimit të Partizanit, ka sot mundësinë të marrë sërish kryesimin që e dorëzoi javën e fundit, pas humbjes me Kukësin. Skuadra shkodrane luan përsëri në “Loro Boriçi”, ku pret Bylisin dhe në letër është favorite për fitoren, që do ta ngjiste në kuotën e 13 pikëve, duke parakaluar Partizanin. Në kampin e Vllaznisë ka besim të madh për rikthimin në krye, megjithatë është fusha e blertë që vendos.

Kukësi para ndeshjes me Vllazninë. Gazeta Si, 5 dhjetor 2020

Një shans të mirë për të vazhduar ngjitjen drejt kreut ka edhe Kukësi, që vjen pas dy fitoresh radhazi. Mundësitë për të tretën radhazi janë shumë të mëdha, pasi ndeshet në “Elbasan Arena” me Apoloninë e vendit të fundit. Pranë skuadrës është rikthyer edhe trajneri Skënder Gega, pas kurimit në Turqi. Kukësi ka 7 pikë pas 5 javësh, por sot pasdite mund ta shohë veten më lart në renditje.

Skënderbeu luan me Laçin në Korçë. Vendësit nuk po kalojnë një moment të mirë dhe në fushën e tyre nuk kanë marrë ende asnjë pikë. Janë mundur nga Vllaznia dhe Kastrioti, ndërsa sot do të përpiqen ta thyejnë këtë tabu. Laçi edhe sot do të drejtohet nga trajneri i ekipit U-21, Stavri Nica. Ndeshja tjetër është ajo mes Teutës dhe Kastriotit, ku durrsakët janë “të dënuar” të fitojnë.

Superiore, java e 6-të
Sot
Vllaznia-Bylis
Kukësi-Apolonia
Skënderbeu-Laçi
Teuta-Kastrioti
Dje
Tirana-Partizani 0-0


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë