Fatjon Rupi – Në faqet zytare të klubeve serviren si mbyllje marrëveshjesh me konsensus, si ndërprerje bashkëpunimi me mirëkuptim, por në fakt janë largime të pastra. Bëhet fjalë për “krasitje” lojtarësh që rezultojnë të tepërt në bilancin e dy fazave të para të kampionatit, pasi nuk u janë përgjigjur pritshmërive dhe nuk kanë justifikuar shumat e shpenzuara për ta.
I fundit në listën e lojtarëve të larguar nga Superiorja është kroati Dino Shpehar, sulmuesi që nuk la ndonjë mbresë me fanellën e Kukësit. Këto lloj largimesh janë bërë modë ditët e fundit. Përveç Shpeharit, edhe sulmuesi i Laçit, Marjan Altiparmakovski, ka lënë Superioren me mirëkuptim me drejtuesit kurbinas. Edhe ai, ashtu si kroati, nuk ka bindur (një gol i shënuar), kështu që nuk mund të zërë vendin kot në skuadër, kur dihet që numri i të huajve në fushë është i kufizuar. Pak ditë më parë ishte klubi i Partizanit që lajmëronte ndërprerjen e bashkëpunimit me mbrojtësin boshnjak, Renato Gojkoviç, i aktivizuar me pikatore në gjysmën e parë të sezonit.

Kohë më parë Kukësi publikonte në faqen zyrtare një lajm si ky i fundit për Shpeharin, ku emri i lojtarit të larguar ishte ai i sulmuesit boshnjak, Haris Harba. Të njëjtën gjë kuksianët bënë edhe me Besar Musollin, por bënë prapakthehu pas reagimit të fuqishëm mediatik për trajtimin e padenjë të futbollistit kosvar. Flitet se edhe mbrojtësi rumun i Flamurtarit, Kristian Sirgi, do të largohet nga Vlora me konsensus, por ky nuk është një lajm zyrtar.
Largime me mirëkuptim? Klubet po bëhen gati për merkaton e dimrit dhe po lirojnë vendet. Bie menjëherë në sy fakti se të gjithë lojtarët e prekur nga kjo fushatë e fundvitit për të pastruar ekipet nga të tepërtit, janë të huaj. Që do të thotë se rreziku mbetet dhe nuk është aspak çudi që për ndonjë nga klubet që kanë prishur kontratën të përfundojë në gjyq së shpejti. Përvoja ka treguar se lojtarët e huaj, në shumicën e rasteve i kopsitin mirë kontratat dhe janë të mbrojtur ligjërisht. Le të jetë vërtet kështu siç lajmërojnë klubet tona të Superiores në faqet e tyre, që në të ardhmen të mos ketë gjoba nga FIFA apo heqje pikësh…!
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje