Futboll

Superiorja sërish në fushë, vëmendja në aksin Tiranë-Elbasan

Javë e ngjeshur kjo për Superioren. Luhet sot java e 25-të e kampionatit dhe kalendari rezervon disa sfida interesante. Janë duele në distancë sa i takon luftës për titullin kampion, por edhe për zonën europiane. Edhe pse Tirana kryesuese luan në Vlorë me Flamurtarin, vëmendje më të madhe paraqesin ndeshjet Partizani-Teuta dhe Kukësi-Vllaznia.

Partizani ka ndërruar stadiumin këtë herë, pasi “Air Albania Stadium” nuk i ka sjellë fat. Ndeshja me Teutën luhet në “Selman Stërmasi”, ku të kuqtë duhet të reagojnë me çdo kusht, nëse duan të luajnë në Europë këtë verë. Rezultatet e javëve të fundit dhe mbi të gjitha disfata në derbi kanë lënë pasoja në kampin e Partizanit, megjithatë trajneri Adolfo Sormani ka shprehur besimin se ekipi është në gjendje të reagojë. Nuk do ta ketë aspak të lehtë ndaj Teutës, që gjithashtu lufton për një vend në Kupat e Europës.

Nga një ndeshje mes Kukësit dhe Vllaznisë këtë sezon. Gazeta Si, 4 mars 2020

Kukësi ndeshet me Vllazninë në “Elbasan Arena”. Trajneri Orges Shehi debuton në stolin e Kukësit në një stadium ku ka bërë historinë, teksa kualifikohej me Skënderbeun për në fazën e grupeve të Ligës së Europës disa vite më parë. Edhe Kukësi ka detyrimin që të kthehet te fitorja. Për momentin është ekipi i vetëm që mund të bëjë anti-Tiranën në garën e titullin kampion, pasi është 4 pikë prapa (Partizani 9 pikë). Kuksianëve u mungojnë tre lojtarë të rëndësishëm, Musolli i dëmtuar dhe Et’hemi dhe Rroca të skualifikuar. Vllaznia vjen në këtë ndeshje pas humbjes në Shkodër me Skënderbeun dhe një tjetër rezultat negativ do t’ia rëndonte pozitat në fundin e renditjes.

Tirana kryesuese, me 47 pikë, ka teorikisht një ndeshje më të lehtë në Vlorë. Flamurtari, edhe pse ka shenja pozitive në javët e fundit, është shumë larg nivelit të Tiranës dhe parashikohet që bardheblutë të vazhdojnë serinë e fitoreve. Një ndeshje interesante është edhe ajo mes Laçit dhe Bylisit, ku të favorizuar janë kurbinasit, jo vetëm se luajnë në fushën e tyre. Ballshiotët kanë disa barazime radhazi dhe kanë rrëshqitur në tabelën e klasifikimit. Skënderbeu pret në Korçë Luftëtarin dhe ka një mundësi të mirë për të marrë tri pikët. Fitorja në Shkodër u ka dhënë më shumë moral korçarëve.

Java e 25-të, sot
Laçi-Bylis ora 14:00
Partizani-Teuta ora 17:00
Kukësi-Vllaznia ora 17:00 (luhet në Elbasan)
Flamurtari-Tirana ora 17:00
Skënderbeu-Luftëtari ora 17:00

Renditja e Superiores pas javës së 24-t. Gazeta Si, 4 mars 2020

Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë