Futboll

Superkupa e Shqipërisë çel sezonin, Vllaznia dhe Teuta diskutojnë trofeun e parë

Sezoni i ri 2021-2022 do të hapet, siç është traditë, me finalen e Superkupës së Shqipërisë. Teuta kampione në fuqi dhe Vllaznia fituese e Kupës së Shqipërisë do të diskutojnë në “Elbasan Arena” trofeun e parë sezonal. Ndeshja do të zhvillohet në orën 19:00, me prani të kufizuar të tifozëve.

Një trofe i fituar që në start do të ishte një ogur i mirë për sezonin e ri, ndaj dhe të dyja skuadrat synojnë të bëjnë më të mirën me besimin se në fund do të festojnë, por këtë kënaqësi do ta ketë vetëm njëra prej tyre. Si Teuta, ashtu edhe Vllaznia, vijnë me ndryshime në skuadër, në krahasim me sezonin që shkoi, sidomos durrsakët.

Nga nje ndeshje mes Teutes dhe Vllaznise sezonin e kaluar. Gazeta Si, 28 gusht 2021

Nga Teuta e titullit kampion janë larguar shumë titullarë, duke nisur nga Dejvi Bregun, që është transferuar në Turqi, por edhe lojtarë të tjerë me peshë si Rustem Hoxha dhe kapiteni Renato Arapi, ky i fundit i tërhequr nga futbolli i luajtur. Nga lëvizjet në merkato është lënë të kuptohet se Teuta e sezonit të ri do të jetë një ekip me pak shpenzime, me profile më të ulëta lojtarësh.

Edhe te Vllaznia ka pasur lëvizje, me largime sidomos në mbrojtje, ku nuk janë më Imami, Isaevski dhe Shehu. Edhe repartet e tjera kanë pësuar ndryshime, megjithatë klubi shkodran ka afruar lojtarë, me të cilët mendohet se Vllaznia do të jetë më e fortë sezonin e ri.

Trajneri Bërdariç dhe kapiteni Gurishta janë shprehur shumë entuziastë në konferencën e shtypit para ndeshjes së Superkupës. Në anën tjetër, trajneri shkodran i Teutës, Edi Martini, ka postuar në faqen e tij në Facebook një foto me trofeun e Kupës së Shqipërisë, duke i lëshuar sfidën Vllaznisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë