Politike

Tabaku: Amnistia dhe pasaportat e arta cënojnë Integrimin. Kryenegociatorja: Kemi përmbushur 9 nga 10 rekomandimet e KE

Nga Gazeta ‘SI’ – Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku i ka rikujtuar komisionit të Integrimit Europian kërkesat për Shqipërinë dhe mbarëvajtjen  e procesit të integrimit, lidhur me Amnistinë Fiskale dhe pasaportat e arta.

Sipas Tabakut, të dyja këto vendime rrezikojnë procesin për Shqipërinë.

Raporti thotë se ‘Miratimi i amnistisë tatimore dhe penale kundër këshillave të BE-së dhe Moneyval-it mund të rrezikojë përparimin në këtë fushë si dhe luftën kundër pastrimit te parave’. Dua t’ju kujtoj se progres raporti thotë ‘Shqipëria duhet të përmbahet nga zhvillimi i një skeme të nënshtetësisë së investitorëve pasi do të përbënte rreziqe për sa i përket sigurisë, pastrimit  të parave, evazionit fiskal, financimit të terrorizmit, korrupsionit dhe infiltrimit nga krimit të organizuar dhe do të ishte i papajtueshëm me AKI të BE’”, – tha Tabaku duke pyetur zv.ministren e Drejtësisë, Adea Pirdeni.

Pirdeni tha se për çdo qëndrim apo ndryshim në kabinetin e ministrave do të ketë njoftime, ndoshta dhe me vonesë sepse Shqipëria do të jetë në Bruksel.

Fjalën më pas e mori kryenegociatorja Majlinda Dhuka duke thënë se Shqipëria ka plotësuar 9 nga 10 rekomandimet e KE-së, duke pasur performancën më të mirë në rajon, duke veçuar Reformën në Drejtësi.

“Në lidhje me raportin e KE, ai është dokumenti ndërkombëtar më i qenësishëm. Është një dokument vlerësimi nga një ekip ekspertësh. Në mënyra të qartë. Raporti shprehet se vendi ka bërë progres nga 32 deri në 33 kapitujt e negociatave si dhe në 3 kritere. Nëse e krahasojmë me Maqedoninë e Veriut, vihet re se Shqipëria në shumicën e kapitujve performon më mirë dhe ka bërë progres krahasuar dhe me vendet e Ballkanit. Veçanërisht në zbatimin e konsolidimin e Reformës në Drejtësi. Në raport konstatohet roli i pazëvendësueshëm i parlamentit. Miratimi me konsensus në parlament shtyrja afateve të Veting-ut, një lajm i mirë. Më shumë bashkëpunim për reformat integruese” , – tha Dhuka.

Deputeti socialist, Taulant Balla, pjesë e këtij Komisionit, bëri thirrje për “bashkim” të mazhorancës dhe opozitës për të mbrojtur të vërtetën nga shpifja.

“Ne duhet të punojmë të gjithë bashkë për të mbrojtur të vërtetën nga shpifja. Ajo që ka nevojë Shqipëria është një  media e lirë nga pushtetet, dhe një media të së vërtetës. Ajo që duhet të pranojmë të gjithë së bashku është që një pjesë politikanëve të mos rrinë në krah të pronarit të medias që nuk i paguan sigurimet shoqërore gazetarit. S’ka munguar vullneti politik i qeverisë dhe mazhorancës për reformat që lidhen me integrimin”, – u shpreh Balla, referuar vlerësimit për lirinë e medias në vend nga KE.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë