Politike

Tabaku: Inceneratori i Tiranës iu dha një kompanie me kapital 100 mijë lekë

Ish-deputetja e PD-së, Jorida Tabaku tha të premten se kompania që ka marrë në menaxhim inceneratorin e Tiranës u krijua vetëm një ditë përpara se ta merrte këtë koncesion.

“Me një kapital prej 100 mijë lekësh, ajo mori një koncesion prej 130 milionë euro. Kostot e operimit janë rreth 300 milionë euro, ndërkohë që do të gjenerojë të ardhura nga shitja e energjisë në 135 milionë euro.

Këto shuma marramendëse, këto shifra të jashtëzakonshme, janë të pakonceptueshme për qytetarët, që sot vuajnë për bukën e gojës dhe për bizneset që sot ulin qepenat. Por kjo është historia e trishtë e këtij inceneratori. Kostot e këtij inceneratori po i paguajnë qytetarët e Tiranës.  Paguajnë nga buxheti i shtetit çdo ditë…”, tha ajo.

 Tabaku nënvizoi se 30% janë rritur tarifat e pastrimit për qytetarët e Tiranës, ndërkohë që edhe vetë Bashkia e Tiranës  ”përveçse jep pagesa direkte për inceneratorin, paguan 29 euro për ton mbetjesh që depoziton aty”.

“Partia Demokratike ka analizuar të gjitha dosjet e këtyre kontratave konçesionare dhe do t’i çojë ato përpara drejtësisë, por sot jemi këtu për të denoncuar se si njëkohësisht, bashkë me qytetarët e Tiranës që paguajnë një tarifë më të lartë pastrimi, edhe Bashkia e Durrësit është detyruar që të derdhë këtu mbetjet. Këto fugona pastrimi që vijnë pas meje, që vijnë nga Durrësi dhe i derdhin këtu mbetjet, i kushtojnë qytetarëve të Durrësit 14 milionë euro nga buxheti i tyre dhe po ashtu tarifat e pastrimit në qytetin e Durrësit do të rriten.

Kjo histori vjedhje, kjo histori korrupsioni, kjo histori e cila është e pashoq për Shqipërinë, një nga abuzimet më të mëdha të këtyre 30 viteve, do të ketë të vendosur përpara drejtësisë pas 25 prillit.

Ndërkohë që sot jemi këtu për të dokumentuar atë që kemi vite, kemi muaj që denoncojmë.

Marrin paratë publike, marrin paratë e shqiptarëve ndërkohë që këtu nuk ka absolutisht asnjë investim”, tha ajo.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë