Politike

Tabaku: KLSH konfirmon korrupsionin e rëndë në qeverinë “Rama”

Ish-deputetja e PD-së, Jorida Tabaku tha se qeveria e Edi Ramës është kampione e korrupsionit.
Me anë të një deklarate për mediat, Tabaku tha se pas të gjithë raporteve ndërkombëtare të institucioneve serioze botërore që kanë vënë në pah korrupsionin, tani edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit fakton se vitin e kaluar qeveria ka keqpërdorur me qëllim 1.7 miliardë euro.
“Dy javë më parë, raporti i OKB-së nënvizonte problemin e korrupsionit endemik që ka kapluar qeverisjen dhe shoqërinë tonë. Raporti i DASH, ambasadorja gjermane dhe biznese shqiptare vazhdimisht kanë shprehur shqetësimin e tyre për korrupsionin dhe lidhjet e bizneseve me qeverinë në përfitimin e tenderave publikë.
Së fundi, edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit fakton se vitin e kaluar qeveria ka keqpërdorur me qëllim 1.7 miliardë euro. Nga kjo shumë, 923 milionë euro është dëmi ekonomik nga të ardhurat e pambledhura, që lidhet direkt me korrupsionin endemik, ndërkohë që janë keqshpenzuar në tendera dhe jo vetëm, 587 milionë euro nga taksat e shqiptarëve”, u shpreh Tabaku.
Po ashtu, Tabaku tha se korrupsioni i madh në vend bën që shqiptarët të largohen nga vendi.
“Korrupsioni endemik dhe galopant, dhënia e tenderave për miqtë, bën që shqiptarët të ikin nga sytë këmbët. Ata po ikin, sepse taksat e shqiptarëve vidhen me koncesione e tendera korruptivë. Kjo qeveri vjedh taksat e shqiptarëve në dritë për diell. Kjo qeverisje blen edhe votat me paratë e krimit, duke degdisur shqiptarët në një gjendje të mjerë”, deklaroi Tabaku, ish-deputete e Partisë Demokratike.
Si zgjidhje ajo jep programin e Partisë Demokratike, pasi kjo parti ka vullnetin për të nisur luftë ndaj korrupsionit.
“Partia Demokratike ka vullnetin dhe planin për të nisur një luftë pa kompromis ndaj korrupsionit dhe për ta fituar atë, jo vetëm se korrupsioni është pengesë në procesin e integrimit, por dhe si arsyeja e vetme pse sot të rinjtë janë pa punë, pse rrogat dhe pensionet nuk rriten, pse nuk ka investime në rrugë, shkolla e spitale.
Partia Demokratike beson se një ekonomi e lirë tregu, ku të gjithë garojnë të barabartë, me taksa të ulura e pa burokraci do të çlirojë kapitalin, do të rrisë investimet në ekonomi, do te hapë vende të reja pune dhe mundësi për çdo shqiptar punëtor e të ndershëm!” përfundoi Tabaku.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë