Politike

Tabaku: Qeveria, 900 mln lekë Bashkisë për Teatrin dhe na e shet si buxhet për pandeminë

Në mbledhjen e Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, deputetja e PD-së, Jorida Tabaku tha se qeveria do t’i japë  900 milionë lekë Bashkisë Tiranë për Teatrin dhe këtë e shet në Aktin Normativ si buxhet për pandeminë.

“Gjykata Kushtetuese ka marrë një vendim për Teatrin Kombëtar, prishja është ilegjitime, prona i ka kaluar Ministrisë së Kulturës. Për çfarë arsye i kaloni Bashkisë Tiranë 900 milionë lekë për Teatrin Kombëtar kur vendimi për prishjen është antikushtetues dhe prona i ka kaluar Ministrisë së Kulturës?!”, tha Tabaku, duke shtuar se, ky veprim nuk ka lidhje me pandeminë dhe as me rindërtimin.

Deputetja e Partisë Demokratike preku gjithashtu dhe ndihmën e dhënë nga qeveria për qytetarët shqiptarë gjatë periudhës së pandemisë. Sipas saj ndihma ishte më e ulëta në rajon. Ajo citoi të dhëna nga FMN dhe BB në lidhje me ndihmën ekonomike ndërsa vuri në dukje se kjo defiçensë as nuk po rregullohet dhe as është rregulluar nga Akti Normativ 2021.

“Ajo pak ndihmë ekonomike që u dha u morr e gjitha nga klientët e qeverisë pra nga koncesionarët” , shtoi deputetja Tabaku duke iu referuar fondit të garancisë sovrane që i ka shkuar mbi 50% për koncesionarët e qeverisë.

Sipas deputetes Tabaku, ndihma që BE ka ofruar për Shqipërinë vetëm për pandeminë është 230 mln euro.

“Si u shpenzuan 1 mld euro në ekonomi kur vetëm 120 mln euro shkoi për mbështetje direkte?” pyeti ajo në Komision.

Deputetja Tabaku preku edhe faturën e koncesioneve që sipas saj kanë ndikuar në borxhin publik. “Sa është fatura totale e koncesioneve që ka firmosur qeveria?” pyeti ajo duke nënvizuar se “në dijeninë tonë koncesionet kapin vlerën e 2.2 mld eurove”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë