Politike

Tabaku: Qeveria akordoi 124 mln euro për rindërtimin në prag zgjedhjesh, SPAK po fle

Deputetja e PD Jorida Tabaku deklaroi përmes një konference për shtyp se, prej muajit janar, qeveria transferoi për 11 bashki rreth 124.4 milion euro vetëm për rindërtimin.

“Nga këto, 73 milion euro i janë dhënë Bashkisë së Tiranës, rreth 12 milion euro Bashkisë së Durrës, 10.4 milionë euro Kurbinit, 5.8 milionë euro Kavajës, 4.8 milionë euro Kamzës etj.

Të gjitha këto transferat janë miratuar dhe janë alokuar pas 1 Janarit 2021 duke shkelur Kodin Zgjedhor që e ndalon rreptësisht këtë gjatë 4 muajve të fundit përpara datës së zgjedhjeve.

Ditë pas dite ne po publikojmë gjithnjë e më shumë fakte, prova dhe të dhëna  për vjedhjen më të madhe të zgjedhjeve në histori të kryer nga regjimi Rama-Doshi-Rakipi.

Viktimat e kësaj masakre elektorale të kryer nga regjimi Rama-Doshi-Rakipi janë qytetarët shqiptarë”, tha Tabaku.

Sipas saj, mijëra familje përfituan rritje të vlerës së dëmit nga DS1 në DS2 e deri në DS5, duke u akorduar miliona e dhjetëra miliona lekë secilës prej familjeve që përfituan nga ndryshimi i masës së dëmit.

“Dhjetëra VKM e VKB u miratuan nga 1 Janari 2021 deri më 25 prill për të lejuar makinerinë e manipulimit të ndikonte votën e qytetarëve.

Këto janë provat e një prej operacioneve në shkallë më të gjerë të shndërrimit të shtetit në një instrument në dorë të makinerisë së deformimit të votës dhe shkrirjes së shtetit me Partinë Socialiste.

Për këtë krim ku janë përfshirë një zinxhir i gjatë institucionesh nga Këshilli i Ministrave, Këshillat Bashkiakë etj, akoma nuk është ndërmarrë një veprim hetimor nga SPAK. Ndërkohë, dhjetëra kallëzime të Partisë Demokratike për krime zgjedhore në çdo qytet e çdo fshat të vendit vazhdojnë të flenë në sirtarët e SPAK”, vërejti ajo


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë