Politike

Tabaku rendit rastet: Si Rama u ka dalë për zot projekteve korruptive

Deputetja e zgjedhur e PD-së, Jorida Tabaku, tha përmes një konference për shtyp se sistemi i korrupsionit në ministri është kapilar, nga nivelet më të larta, në ato më të ulëta. Duke iu referuar paketës së re ligjore për tenderat e paralajmëruar nga kryeministri Edi Rama, Tabaku tha se nuk është çështje e ligjit, por e vullnetit politik

“1 në 3 tendera jepen pa garë dhe ky është fakt është denoncuar nga PD që nga viti 2015 dhe njëkohësisht është provuar edhe në vitin 2018 nga Gjykata Europiane e Auditit.

Të gjitha tenderat e rindërtimit që Rama sot i vëzhgon duke u krenuar janë dhënë pa garë, janë dhënë në limitet e fondit, me 99% të vlerës.

Gjatë pandemisë janë dhënë tendera pa garë, tendera sekretë, Ministria e Mbrojtjes dhe Ministria e Shëndetësisë  kanë qenë kampionë. Me kompani që nuk kishin asnjë lidhje me fushën për të cilën ata jepnin shërbimin apo produktet.

Ligjet speciale, janë kthyer në rregull tashmë. 7 të tilla të përmendura me emër nga opozita dhe vërtetuar nga “Transparency International”, janë votuar nga Rama dhe mazhoranca si dhe janë mbrojtur publikisht nga ai”, renditi Tabaku.

Sipas saj, janë mbi 2 miliard euro koncesione të dhëna nga qeveria Rama me ofertë të pakërkuar, pa garë, kompanive të preferuara prej tij.

“Toka sot në bregdet jepen me 1 euro me VKM. Ndërkohë që pronarët sorollaten me vite për të marrë një vendim për kthim dhe kompensim të pronave.

7.2 miliard euro dëm ekonomik ka vërtetuar KLSH, që ka ndodhur në 8 vitet e fundit.

Dhe afera më e fundit e inceneratorëve që akoma marrin para nga taksat e qytetarëve shqiptarë, janë mbrojtur publikisht dhe personalisht nga Rama. Miliona euro që shkojnë për një projekt mafioz, me procedura dhe afate që me dijeninë e tij dhe ministrave të tij janë shkelur me të dyja këmbët. Në të gjitha këto raste, Rama i ka dalë për zot. Rama e ka mbrojtur korrupsionin, i ka dalë për zot këtyre projekteve duke goditur drejtpërdrejt buxhetin e shtetit dhe xhepat e familjeve shqiptare”, tha ajo.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë