Politike

Tabaku: Shqiptarët të varfër, PD ofron ulje taksash

Ish-deputetja e PD, Jorida Tabaku ka hedhur akuza mbi qeverinë Rama duke thënë se shqiptarët sot janë më të varfër, ndërsa krejt e kundërta është për qeveritarët.
Nëpërmjet një statusi në “Facebook”, ish-deputetja shprehet se nga viti 2014 kur në Shqipëri u implementuan politikat fiskale rilindëse, gjendja ekonomike është përkeqësuar
“Alternativa ekonomike që ka propozuar mazhoranca socialiste që në vitin 2014 ka qenë ‘Takso më shumë dhe merr borxh!’. Politikën e marrjes së borxhit, qeveria e shiti si një përpjekje për të shlyer borxhin e prapambetur ndaj bizneseve, por e vërteta qe që ky borxh u përdor për të ngjyrosur fasadat e godinave qeveritare dhe për të ndërtuar sheshet e qyteteve që përditë e më shumë boshatiseshin nga qytetarët”, shkruan Tabaku.
Sipas Tabakut, ndonëse shqipatarët janë varfëruar, krejt e kundërta po ndodh me oligarkët.
“Mrekullia mbi tokë që premtoi rilindja u shua që në muajt e parë edhe pse propaganda e rrogës së 13 vazhdoi të jehonte nga ekranet televizive. Qëllimi është shumë i qartë; pasurohen oligarkët, pasurohen qeveritarët dhe pjesa tjetër mbetet në kushtet e skllavërisë. Huaja në të zezë janë në fakt lëmosha që grupet rreth të parëve jep ndaj shumicës së shqiptarëve”, vijon Tabaku.
Ish-deputetja demokrate thekson se ajo çka ofron PD është krejt e kundërta; ulje e taksave dhe shpenzim i borxhit në shërbim të qytetarëve dhe të mirës publike.
“Ajo çfarë opozita propozon është e lidhur ngushtë me si e shohim ne qytetarin. Ne nuk dëshirojmë të taksojmë punën dhe punëdhënësin shproporcionalisht pasi jemi të bindur që paraja qarkullohet më mirë dhe i shërben mobilitetit të qytetarëve kur është pranë tyre dhe jo në xhepin e madh dhe me vrima të qeverisë.
Taksat e ulët prej 0,5% të xhiros është oferta që opozita u jep mikrobizneseve familjare që vuajnë sot kontrollet tatimore, dhunën edhe presionin e qeverisë, taksat e larta dhe mungesën e konsumit. Shqiptarët varfërohen dhe taksohen përditë e më shumë për të paguar borxhet që qeveria merr në emrin e tyre dhe i shpenzon për qejfet personale. Partia Demokratike ofron të kundërtën; uljen e taksave dhe shpenzimin e borxhit në shërbim të qytetarëve dhe të mirës publike”, përfundon ish-deputetja Tabaku.

https://www.facebook.com/jorida.tabaku/photos/a.543904109030892/2297816973639588/?type=3&theater

Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë