Gazeta Si – Delegacionet ukrainase dhe ruse kanë rifilluar negociatat me video-konferencë, ndërsa ministri i Jashtëm ukrainas, Kuleba i kërkon Evropës “më shumë armë të mundshme” dhe “më shumë sanksione kundër Putinit”.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskij tha se “bisedime të vështira” ishin duke u zhvilluar me Rusinë në raundin e katërt të negociatave që filloi mëngjesin e sotëm.
“Bisedimet e vështira vazhdojnë. Të gjithë presin lajme. Ne do ta raportojmë rezultatin sonte”, tha Zelensky në një video-mesazh.
Ndërkohë, strategjia e komunikimit të Volodymyr Zelenskijt, mbetet ajo e paraqitjes sa më shpesh në “teatrin” e operacioneve ushtarake.
Presidenti ukrainas publikoi një video tjetër në kanalin e tij Telegram, ku fton bashkëqytetarët të rezistojnë: “Rusia vazhdon të shkatërrojë infrastrukturën tonë, vazhdon të godasë qytetet tona. Por ne do të rindërtojmë çdo rrugë në çdo qytet. Tani që pushtuesi është ende në tokën tonë, ne duhet t’i godasim sa më fort për të mbrojtur qytetet, për të mbrojtur fshatrat, për të mbrojtur çdo metër të tokës tonë”, thotë ai duke folur nga rrugët e Kievit.
Korridori humanitar për evakuimin e civilëve nga Mariupol, një qytet në jug të Ukrainës i rrethuar nga rusët, është zhbllokuar dhe rreth 160 makina që transportonin banorë tashmë kanë mundur të largohen nga qyteti.
Kjo u raportua nga këshilltari i kryetarit të Bashkisë së Mariupolit, Petro Andryushchenko, i cituar nga agjencia ukrainase “UNIAN”.
Kjo është të paktën përpjekja e tretë për të shpëtuar civilët nga qyteti në detin Azov, të tjerët kishin dështuar, sepse rusët bombarduan kolonat që po iknin.
Ndërkohë, Vladimir Putin nënshkroi një ligj që autorizon bankat ruse të shesin rezervat e tyre të arit individëve në këmbim të valutës së fortë (dollarë dhe euro).
Bëhet fjalë për një sistem përmes të cilit Moska synon të paktën pjesërisht të anashkalojë sanksionet, duke qenë se ka lingota me vlerë 123 miliardë dollarë.
Ditët e fundit, Kongresi Amerikan kishte hartuar një projekt-ligj që synon të mbyllë këtë rrugë, duke sanksionuar ata që blejnë arin nga Rusia.
“Linja që ushqente termocentralin bërthamor të Çernobilit dhe qytetin e Slavutych, u dëmtua përsëri nga pushtuesit, pasi ekuipazhi i riparimit nga ‘Ukrenergo’ e kishte riparuar atë”.
Kështu thuhej në një shënim nga kompania që menaxhon rrjetin kombëtar të transmetimit të energjisë elektrike të Ukrainës.
“Ukrenergo” thekson se termocentrali bërthamor i Çernobilit është një objekt i rëndësishëm që nuk mund të lihet pa një furnizim të besueshëm energjie. Ditët e fundit, një ndërprerje kishte ngritur frikën për një rrjedhje rrezatimi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje