Edhe pse Serbia ka insistuar që të diskutohet për asociacionin e komunave serbe në Kosovë, Brukseli duket se e ka hedhur poshtë,
I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka postuar në llogarinë e tij në Twitter nje foto nga takimi i sotëm në Bruksel, në prani të negociatorëve Skender Hyseni dhe Marko Gjuric.
Në postimin e tij, Lajçak shkruan se me kryenegociatorët ka diskutuar për pretendimet e përbashkëta financiare dhe pronësore.
“Sapo përfunduam bisedimet e sotme me kryenegociatorët Marko Gjuric dhe Skender Hyseni mbi pretendimet e përbashkëta financiare dhe pronësore. Diskutimet tona konfirmuan kompleksitetin dhe ndjeshmërinë e çështjes. Do të vazhdojë,” thuhet në postim.
Ndërsa, koordinatori shtetëror për dialogun, Skender Hyseni u shpreh ditën e sotme se në takim nuk është diskutuar për Asociacionin edhe pse delegacioni serb, sipas tij, ka bërë përpjekje që kjo temë të hapet.
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian për çështje të jashtme, Peter Stano ka thënë dy delegacionet diskutuan për çështjet financiare dhe se për këtë rend dite janë marrë vesh vetë palët. Ai duket se i ka rikujtuar Prishtinës marrëveshjen për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, duke thënë se pala shqiptare “duhet të vijë me një propozim për zbatimin e marrëveshjes”.
“Mund të them se Kosova ka hyrë në marrëveshje në vitin 2013 për të krijuar Asociacionin. Marrëveshja është bërë në mirëbesim të palëve dhe asnjëherë nuk është anuluar. Kjo marrëveshje është ratifikuar me 2/3 e votave në Parlamentin e Kosovës. Në këtë mënyrë Kosova ka marrë një obligim ndërkombëtar për të implementuar marrëveshjen. Mbetet që Kosova ta propozojë një mënyrë se si të zbatohet kjo marrëveshje”, ka thënë ai.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë më 16 shtator se “hapja e temave për të drejtat e komuniteteve dhe për Asociacionin e komunave serbe në dialogun e Brukselit është gabim i madh dhe shumë i rrezikshëm i Qeverisë së Kosovës”.
Sipas tij, diskutimi për Asociacionin të enjten është “fillim i instalimit të Republikës Serbe brenda Republikës së Kosovës”. Ai shton se diskutimi për pronat e Kosovës me Serbinë, është në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, si dhe është cenim i sovranitetit.
Në anën tjetër, kryeministri Hoti ka thënë të mërkurën se në Bruksel nuk do të diskutohet për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Sipas tij, të enjten diskutohet për çështjen e obligimeve financiare mes dy vendeve, që kanë të bëjnë me çështjen e pensioneve të viteve të 90-ta, suksesioni i pasurisë së ish-Jugosllavisë, borxhi publik, dëmet e luftës, reparacionit etj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje