Uashingtoni është kthyer në qendër të vëmendjes në mediat shqiptare; ndoshta edhe për faktin se kësaj herë atje kanë udhëtuar krerët më të lartë të shtetit shqiptar, presidenti Ilir Meta dhe kryeministri Edi Rama. Në takime të ndryshme që të dy, si Rama dhe Meta kanë takuar sekretarin e Shtetit, Mike Pompeo. Rama u prit në veçanti nga Pompeo, ndërsa Meta ishte prezent në takimin që u organizua nga sekretari i Shtetit për krijimin e Aleancës Ndërkombëtare për Avancimin e Lirive Fetare. Kreu i shtetit publikoi një video të shkurtër për këtë tryezë, ku shfaqej momenti i shtrëngimit të duarve me sekretarin Pompeo dhe pastaj ulet në tryezën ku ishin ftuar përfaqësuesit e shteteve të tjera, që kanë firmosur marrëveshjen e kësaj Aleance të re.
Më pas, ministria e Punëve të Jashtme, nisi një tjetër njoftim ku bëri të ditur se në këtë takim të zhvilluar në Departamentin Amerikan të Shtetit ka qenë prezent edhe ministri i Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj.
“Në këtë darkë, Sekretari i Shtetit të SHBA-ve, mirëpriti një numër shefash të diplomacisë dhe zyrtarë të lartë të vendeve të ndryshme të botës, për t’iu bashkuar nismës së SHBA-ve për krijimin e Aleancës Ndërkombëtare për Avancimin e Lirive Fetare. Me pjesmarrjen e tij, Kryediplomati Cakaj konfirmoi mbështetjen e padiskutueshme që Shqipëria i jep kësaj nisme amerikane si dhe shprehu vullnetin e vendit tonë për përfshirjen në aleancë”, thuhet në njoftimin për shtyp të ministrisë.

Më tej theksohet se “Shqipëria e ka vlerësuar dhe e vlerëson lirinë e fesë dhe të besimit si vlera të çmuara kombëtare, duke kërkuar respektimin e tyre edhe në arenën ndërkombëtare. Edhe në kuadër të Kryesimit të OSBE-së, Shqipëria do të vijojë të punojë për mbrojtjen dhe promovimin e këtyre të drejtave në të gjitha vendet e rajonit të OSBE-së, duke zhvilluar aktivitete që synojnë mbrojtjen e të drejtave të njeriut, përfshirë ato të lirisë së fesë e të besimit”.
Por në fotot me të cilat Cakaj shoqëron njoftimin vihet re se ka shmangur prezencën e Metës, i cili ka qenë i ulur në tavolinën kryesore ku ndodhej Pompeo. Ndërsa po të njëjtjën gjë ka bërë edhe Meta që ka shmangur praninë e ministrit të Jashtëm në detyrë. Duket si diçka direkte për të dy, si për Metën dhe Cakajn, të cilët kanë pasur një histori jo të vogël përplasjeje. Presidenti Meta refuzoi që ta dekretonte propozimin e kryeministrit për të emëruar Cakajn në postin e Ministrit të Jashtëm. Për Cakajn, Meta kërkoi hetim parlamentar, pasi figuronte se nuk kishte pasur certifikatën e sigurisë të nivelit të lartë për gjashtë muajt që kishte qenë në postin e zv/ministrit të Jashtëm. Rama e zgjidhi konkfliktin duke u tërhequr nga propozimi i parë dhe mori vetë postin e Ministrit të Jashtëm.
Pas takimi për alencës e krijuar për tolerancën fetare, Meta ka publikuar një tjetër foto ku ka qenë prezent së bashku me sekretarin e Shtetit, Pompeo.

“Kënaqësi të ndiqnim së bashku me Sekretarin Amerikan të Shtetit, Michael Pompeo, fjalën e Presidentit të SHBA, Donald Trump në Mëngjesin e Lutjeve në Uashington D.C. Edhe unë bashkohem me vlerësimet më të mira që bëri Presidenti Trump për rolin e veçantë të Sekretarit Pompeo dhe Ambasadorit të posaçëm Sam Broënback për Aleancën Ndërkombëtare për Mbrojtjen dhe Avancimin e Lirive Fetare. Krenar për modelin tonë të shkëlqyer të harmonisë fetare dhe mbështetjes që i japim lirisë së besimit kudo në botë. Zoti e bekoftë miqësinë shqiptaro-amerikane!”, shkruan Meta në rrjetet sociale.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje