Bota

Talebanët patrullojnë çdo cep të Kabulit, thirrje afganëve të rikthehen në punë: Amnesti për të gjithë!

Talibanët kanë patrulluar mëngjesin e të martës çdo cep të Kabulit, ndërkohë që qytetarët mbeten ende të mbyllur nëpër shtëpi. Luftëtarët talebanë kanë marrë pikat e kontrollit në të gjithë kryeqytetin dhe militantët me pushkë janë parë gjatë gjithë mbrëmjes duke ecur në bllokun e ambasadave dhe organizatave ndërkombëtare.

Megjithatë, në mes të kësaj pamje të zymtë, ata kanë lëshuar një deklaratë duke u bërë thirrje qytetarëve të kthehen në punë dhe duke u premtuar amnisti të gjithë zyrtarët qeveritarë.

Sipas “The Guardian” deklarata për kthimin në punë u drejtohej të gjithë banorëve të Kabulit, ku të gjitha bizneset qëndrojnë të mbyllura.

“Një amnisti e përgjithshme është shpallur për të gjithë … kështu që ju duhet të filloni jetën tuaj rutinë me besim të plotë”, thonin talinanët në një deklaratë për shtyp.

Deklarata vjen pasi udhëheqësi i lartë i talebanëve Amir Khan Muttaqi raportohet se ka mbërritue në kryeqytetin afgan për të mbajtur bisedime me udhëheqjen politike të qytetit me qëllim ndërtimin e një qeverie.

Zëdhënësi i zyrës politike të talebanëve i tha Al-Jazeera Mubasher tha në një deklaratë televizive se lufta ka përfunduar në Afganistan dhe se forma e regjimit të talibënëve do të bëhet e qartë së shpejti.

“Ne duam që të gjitha forcat e huaja të largohen para se të fillojmë ristrukturimin e qeverisjes,” tha ai. Ai tha gjithashtu se luftëtarët talebanë në Kabul ishin paralajmëruar nga zyrtarë perëndimorë të mos i trembnin civilët dhe t’i lejonin ata të rifillonin aktivitetet normale.

SHBA ka deklaruar nga ana tjetër se do të vendosë nëse do ta njohë qeverinë talebane në varësi të veprimeve të tyre. Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Ned Price u tha gazetarëve se SHBA do të shohë më kujdes nëse qeveri talebane respekton të drejtat e grave dhe shmang lëvizjet ekstremiste si Al-Kaeda.

Nga ana tjetër, ambasadori rus në Afganistan, Dmitry Zhirnov, mësohet se do të takohet të martën me një përfaqësues të talebanëve për të diskutuar sigurinë e misionit diplomatik. Rusia do të evakuojë disa diplomatë nga stafi i ambasadës së saj në Kabul “në mënyrë që të mos ketë një prani shumë të madhe”.

Po ashtu, situata duket se ka filluar të normalizohet në Aeroportin e Kabulit, ku fluturimet kanë rifilluar pasi janë ndalur për orë të tëra për shkak të turmave të mëdha.

Fluturimet ushtarake që evakuonin diplomatët dhe civilët nga Afganistani filluan të nisnin përsëri të martën në mëngjes, tha një zyrtar i sigurisë perëndimore në aeroportin e Kabulit.

Çfarë ndodhi në aeroport

Skenat tronditëse nga aeroporti në Kabul erdhën një ditë më parë pas rënies së kryeqytetit nën kontrollin e talebanëve. Turmat vërshuan në pistë, disa u kapën pas avionëve në lëvizje, me shpresën për të ikur nga vendi dhe për t’i shpëtuar sundimit të talebanëve. Kjo bëri që forcat amerikane, të cilat kontrollojnë aeroportin, të ndalojnë fluturimet.

Një tjetër imazh tronditës është shfaqur nga Kabuli, ku mijëra qytetarë afganë janë munduar ti arratisen regjimit të Talibanëve duke hipur të dëshpëruar në avionët perëndimorë.

Pas videove të qytetarëve që binin nga avioni, mediat amerikane kanë publikuar një foto që tregon qindra afganë të mbushur në një aeroplan mallrash ushtarak amerikane, në një përpjekje të dëshpëruar për të ikur nga vendi i tyre.

Fotografia e publikuar nga media amerikane “Defense One” besohet se tregon 640 njerëz të ngjeshur në një avion të llojit C-17 Globemaster III, duke shënuar kështu numrin më të lartë të njerëzve të transportuar ndonjëherë në një avion të tillë.

Zyrtarët amerikanë të mbrojtjes thuhet se thanë se udhëtarët, mes tyre gra dhe fëmijë, u evakuuan nga Kabuli në Katar të Dielën.

Fluturimi nuk kishte për qëllim të merrte një ngarkesë kaq të madhe, por disa afganë u futën më forcë në derën gjysmë të hapur të C-17, raportoi Defense One.

Edhe avionë të tjerë mund të kenë transportuar edhe më shumë pasagjerë.

Dëshpërimi i shumë afganëve të tjerë u pa në aeroportin e Kabulit të hënën, pasi njerëzit u kapën në rrotat e aeroplanëve ushtarakë në lëvizje dhe të paktën dy me sa duket ranë menjëherë pas ngritjes.

Aeroporti, i siguruar nga ushtria amerikane, ishte rruga e vetme e mundshme për të dalë nga Afganistani, pasi grupi islamik mori kontrollin e kufijve tokësorë të vendit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë