Futboll

Talenti i çuar dëm, ata që po të kishin pasur mend në kokë…

Talenti është elementi më i rëndësishëm për të pasur një karrierë të suksesshme në futboll, pjesa tjetër është punë. Dhe me punë mund të arrish shumë gjëra, edhe kur talenti nuk është në nivel të lartë, ndërsa kur e ke talentin dhe e “injoron” atë për shkak të karakterit, gjithçka shkon dëm. U ka ndodhur shumë futbollistëve të talentuar në botë, që nëse do të kishin punuar me mend në kokë, sot do të ishin në majat e futbollit dhe nuk do të kujtoheshin për “bëmat” e tyre. Ja disa prej atyre që nuk e kanë shfrytëzuar talentin e tyre:

Kevin Prince Boateng – “Nëse do të isha më serioz…Eh, futbollistët janë gjithmonë në shoqëri të mirë dhe të shumtë”, – ka thënë lojtari ganez. Boateng u kthye në Itali me gola dhe asiste, me një paraqitje të shkëlqyer, si dikur te Milani. Te Barcelona humbi sërish për shkak të mungesës së seriozitetit, siç ai vetë e ka pranuar. Çfarë do të kishte bërë po ta kishte mendjen në vend? Shumë gjëra, por mund të ngushëllohet me faktin se është në shoqëri të mirë.

Antonio Kasano

Antonio Kasano – Emblema e talentit të pashfrytëzuar. Kasano ka luajtur në pjesën më të madhe të karrierës me më pak se 50% të potencialit të tij. I ka mahnitur të gjithë me atë që bënte në fushë. Kushedi çfarë do të kishte ndodhur, nëse do të kishte një sjellje më profesionale. E ka pranuar se po ta kishte njohur më parë bashkëshorten, karriera e tij do të kishte qenë shumë më ndryshe. Mund të kishte qenë Mesi italian. Vërtet mëkat!

Samir Nasri – Një fenomen në rininë e tij me potencialin teknik që zotëronte. Lojëra prej një fituesi të “Topit të artë”, por sjellje si një femër e llastuar. Lojtar i tipit “topi është imi dhe bëj çfarë të dua”. Shumë kualitet dhe paqëndrueshmëri. Nëse ishte në ditën e tij, bënte mrekulli në fushë, por për fat të keq “black-out”-et në karrierën e tij kanë qenë të shumtë.

Nikolas Anelka dhe Domenek

Nikolas Anelka – Francez, në kuptimin e plotë të fjalës. Një sulmues i klasit të lartë, por me defekte në karakter, që e kanë penguar të ngjitet në maksimumin e tij. Nikola Anelka nuk e ka pasur asnjëherë qejf stërvitjen dhe nuk ka bërë kurrë sakrificë për ekipin. Imagjinoni, një lojtar që ikën natën nga Real Madrid. Gjithmonë në telashe, sepse është vetë ai që i kërkon…

Xhorxh Best – Maradona më i forti, Pelè fituesi më i madh, por Xhorxh është “the Best”. Një futbollist që nuk i ka njohur kurrë rregullat dhe disiplinën. Futbollist me instinkt të pastër brenda dhe jashtë fushe. Disa thënie të tij kanë mbetur të skalitura në historinë e futbollit. Edhe perlat e tij në fushë kanë mbetur në memorie. Ndoshta ka pasur të drejtë kur ka thënë: “Nëse nuk do isha kaq i bukur, askush nuk do ta kujtonte Pelenë”.

Pol Gaskoin

Pol Gaskoin – Një idhull i tifozëve të Lacios dhe jo vetëm. Një gjeni në fushë, por me një parregullsi të paparë në jetën e tij. I njohur nga të gjithë për shakatë që bënte me shokët e skuadrës dhe tifozët. Birra dhe cigarja me siguri kanë ndikuar drejtpërdrejt në rendimentin e tij në fushë. E kanë kushtëzuar shumë atë dhe është vërtet për të ardhur keq.

Mario Baloteli – Shembulli më i mirë i lojtarit të tipit “do të isha, por nuk jam”. Një jetë duke e pritur dhe qindra “trena të fundit” të humbur dhe llogari të majme në bankë. Inter, Milan, Mançester Siti, Liverpul. Asnjë nga këto skuadra të mëdha nuk ka mundur t’i marrë maksimumin këtij talenti problematik. Duhej të ishte në shoqërinë e Ronaldos dhe Mesit, por sot është shumë larg tyre.

Edmundo

Edmundo – Ta përkufizosh si talent është pak. Braziliani Edmundo bën pjesë në listën e atyre futbollistëve që e kanë shfrytëzuar në mënyrën më të keqe karrierën e tyre, pasi ka pasur mundësi të mëdha. Shumë i egër, i ashpër dhe aspak profesionist për të qenë një lojtar i nivelit botëror. La në baltë Fiorentinën, që luftonte për titull, për të shkuar në Karnavalet e Rios.

Daniel Osvaldo – Një person që e lë futbollin në moshën 30 vjeç dhe shkon e bëhet muzikant me miqtë në bare të panjohur… Dhe është i lumtur kështu. Çfarë mund t’i kërkosh Daniel Osvaldos, një futbollisti që ka lënë pengje dhe zemra të thyera në të gjitha qytetet ku ka luajtur. Me këmbë futbollisti dhe me kokë rokeri.

Adrian Mutu

Adrian Mutu – Një tjetër futbollist i talentuar me karakter të vështirë. Dëshirë për të luajtur futboll, por edhe për t’u argëtuar përtej limiteve të një sportisti. Gjithë natën në diskotekë dhe disa vese të tjera kanë bërë që të mos kishte kurrë jetën e një futbollisti profesionist. Nëse do të kishte qenë më serioz, do të kishte ngjitur edhe shumë shkallë në klasifikimin e futbollistëve më të mirë të Europës lindore.

Adriano – Një futbollist i jashtëzakonshëm, një fenomen i nënshtruar nga “demonët” e tij. Adriano nuk mundi kurrë ta kalonte dramën personale pas vdekjes të të atit dhe u bë i varur nga alkooli. Një jetë shumë e çrregullt më pas, që e pengoi të bëhet një nga sulmuesit më të mëdhenj në botë. Vërtet një talent i madh i pashfrytëzuar i futbollit brazilian.

Paolo Di Kanio

Paolo Di Kanio – Një futbollist shumë gjaknxehtë, që hera-herës i kalonte kufijtë me sjelljen e tij shumë të ashpër. Një nga ata që i shënon Romës me fanellën e Lacios dhe shkon të festojë poshtë ultrasve verdhekuq nuk është aspak një lojtar normal. Veprime të bukura teknike, por që sfumohen nga gjeste të shëmtuara të pafalshme për një futbollist. Zemër, klas dhe…shpatë.

Alvaro Rekoba – Zoti i dha një të majtë magjike, si askush tjetër, por pjesa tjetër e trupit është për t’u harruar. Ai që e donte më shumë se të gjithë ishte pikërisht presidenti i Interit, Masimo Morati, i cili e ka përkëdhelur më shumë se ç’duhet. I aftë për veprime të jashtëzakonshme teknike, por edhe për “fjetur” në fushë. Debutimi i tij në Serinë A ishte perfekt, me dy gola nga 40 metra. Dy shkëndija dhe asgjë tjetër në vitet e tjera.

Hatem Ben Arfa

Hatem Ben Arfa – Bagazh i lartë teknik, por i turbullt në mendjen e tij. Një tjetër lojtar nga ata që nëse do të kishin vënë në kontroll nervat, mund të ishte bërë fitues i “Topit të artë”. Po çfarë mund të presësh nga dikush që mbështet tezën: numri 10 duhet të shpërndajë topat dhe të japë asiste për sulmuesit, por nuk është i detyruar të vrapojë patjetër.

Roman Rikelme – Simbol i talenti dhe i mungesës së dëshirës njëkohësisht. Nëse do të kishte pasur më shumë dëshirë për të vrapuar, 10-a e fundit do të ishte bërë një futbollist i nivelit të atyre argjentinasve të famshëm. I paharruar përshkrimi që i ka bërë trajneri i madh holandez Luis Van Gaal: “Kur ka topin në këmbë, është më i miri në botë, kur nuk e ka, luajmë me një lojtar më pak”.
Përgatiti: Fatjon Rupi


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë