Futboll

Tare agresiv: Qeveria s’e ndal dot kampionatin, e çojmë deri në fund

Igli Tare nuk ka dyshime, Serie A duhet të rinisë dhe kampionati 2019/2020 duhet çuar deri në fund. “Lojtarët nuk e shtyjnë dot më, edhe në aspektin psikologjik. Janë gati, – ka thënë drejtori sportiv i Lacios për “Sky Sport”. – Dje festuan të gjithë, sepse më në fund mund të rifillojnë aktivitetin. Dëgjoj të thuhet se ministri Sportit mund të vendosë për të mbyllur kampionatin, por nuk është kompetencë e tij. Është e rëndësishme të përfundojë ky kampionat. Lacio ishte klubi i parë që u ndal dhe ndër të paktët që ka respektuar udhëzimet nga fillimi në fund”.

Tare ka folur për rinisjen e stërvitjes nga Lacio: “Do të fillojmë të mërkurën, nuk jemi të shqetësuar. Është krijuar ideja se Lacio kërkon të përfitojë për titullin kampion, por ne e kemi fituar gjithçka në fushë. Kanë mbetur edhe 12 ndeshje dhe jemi 1 pikë pas Juventusit. Më duket fjalë e madhe titulli në këtë moment. Ne thjesht duam të japim një sinjal të fortë për sistemin futbollistik italian. Kemi qenë agresivë, sepse ndalesa e asaj që është industria e tretë në vend mund të sjellë dëme shumë të mëdha”, – ka saktësuar drejtuesi shqiptar i Lacios, i cili shpesh e ka ngritur zërin në këtë periudhë.

Igli Tare, drejtori sportiv i Lacios. Gazeta Si, 3 maj 2020

Nuk ka munguar as ndonjë kunj për rivalët nga Tare: “Nga ekipi ynë askush nuk është larguar nga Roma, ndërkohë që më rezulton se klubet e tjera kanë ende lojtarë jashtë Italisë. Nuk mund të takon mua të gjykoj, por diçka mund ta them”.

Për mbylljen para kohe të kampionatit, Tare ka theksuar: “FIFA dhe UEFA kanë shpjeguar se kampionatet kombëtare duhet të përfundojnë, edhe brenda vitit kalendarik. Është shumë e rëndësishme ta çojmë në fund kampionatin, qoftë edhe sikur të rinisim në shtator, sepse do të ishte përvojë për të administruar atë çfarë mund të vijë më pas. Jemi gati të rinisim edhe në vjeshtë, duke ndjekur modelin e Botërorit në Katar”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë