Ministri në ikje i Financave ka sqaruar këtë të hënë përmes një deklarate për mediat, vendimin e Këshillit të Ministrave për përgjysmimin e tarifave të studentëve. Ai u shpreh se këto masa përfitojnë 6235 studentë ekselentë dhe mbi 70 mijë studentë të tjerë, me mesatare nga 5 deri në 9.
“Reduktimi i tarifave të studimit bachelor, studentët me mesatare 9-10 kanë një përjashtim 100% nga tarifa e shkollimit. Përfitojnë 6235 studentë. Efekti financiar në buxhetin e shtetit 201 mln lekë. Studentët me mesatare 5-9 përfitojnë përjashtim 50% nga tarifa e shkollimit. Përfitojnë rreth 70 mijë studentë, u bëhet tarifa 9700 lekë në vit. Efekti financiar 1 mln lekë”, u shpreh Ahmetaj.
Edhe për nivelin e dytë të studimeve, master, ministri Arben Ahmetaj tha se studentët përfitojnë nga ulja e tarifës. Sipas tij, ata me mesatare 9-10 do të përfitojnë 50% ulje të tarifës.
Ndërsa studentëve që kanë paguar tarifën e plotë, gjysma e parave do t’u kthehet.
“Studentët që kanë paguar tarifën e plotë, do t’u kthehet 50% e shumës së paguar”, tha Ahmetaj.
Ndërkohë, në lidhje me bursat, ministri Ahmetaj tregoi se si do të zhvillohet si procedurë marrja e tyre nga studentët me mesatare 9-10.
“Ka pyetje që vijnë për procedurat për përfitimin e bursës nga studentët ekselentë. Studentët që rezultojnë me notë mesatare 9-10 duhet të kenë shlyer të gjitha detyrimet akademike brenda vitit paraardhës. Bordi i administrimit vendos bursën me fondin në dispozicion. Për studentët e pranuar në vitin e parë me mesatare 9-10 është e njëjta procedurë si në Bachelor, pra u shihen edhe notat e maturës”, u shpreh Ahmetaj.
Po ashtu, për bursat, Ahmetai bëri thirrje që në këtë çështje nuk duhet të përfshihen më këshillat bashkiakë, pasi kjo nuk është më punë e tyre.
Ahmetaj kërkoi edhe nga bordet e universiteteve që të punojnë për të dhënë informacione për studentët.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje