Të enjten Kuvendi pritet të miratojë ndryshimet e reja të rregullores propozuar nga Partia Socialiste që në thelb nuk zgjidhin ngërçin kryesor që lidhet me kërkesën e opozitës për ngritjen e komisioneve hetimore por i hapin rrugë mazhorancës në miratimin e akteve ligjore pa u bezdisur nga grupi i “rrëmujës” duke përjashtuar deri në 2 muaj këdo në Kuvend që ndez flakadanë apo prish punimet parlamentare.
Pak ditë para miratimit, (me shumicë të thjeshtë), Instituti i Studimeve Politike nënvizon në një raport të saj se rregullorja qysh prej miratimit me konsensus në vitin 2004 ka pësuar ndryshime të vazhdueshme, në periudha të ndryshme me qëllim sjelljen e saj në përputhje me standardet parlamentare dhe modeleve ndërkombëtare.


Nga ana tjetër, në disa raste, ndryshimet kanë qenë shumë të shpejta (pa proces konsultimi, pa analizë dhe pa konsensus) dhe janë bërë për të arritur qëllime të caktuara politike apo për të realizuar dëshirat dhe vullnetet personale të kryetarëve të partive.
Në këtë kuadër, Instituti i Studimeve Politike (ISP) ka evidentuar gjetje të rëndësishme që lidhen me praktikat pozitive dhe negative parlamentare në shqyrtimin e propozimeve për ndryshime në Rregulloren e Kuvendit.
Tabela e hartuar nga ekspertët e ISP-së tregon se Kuvendi ka ndjekur standarde të ndryshme në vite të ndryshme.
Ndryshimet e miratuara në vitet 2008, 2013, 2014, 2017, 2019, 2020 dhe 2021 kanë pasur tërësisht ose pjesërisht konsensusin e forcave politike në Kuvend ndërkohë që në ndryshimet e vitit 2005, 2010 dhe 2011 ky konsensus mungon. Ndryshimi i Rregullores është bërë vetëm me votat e mazhorancës;
Kuvendi, në disa raste, ka aplikuar procedurën e përshpejtuar në shqyrtimin e propozimeve të depozituara pa e justifikuar përdorimin e këtij instrumenti kushtetues sikurse ndryshimet e vitit 2005, 2011, 2017 apo ndryshimet e propozuara aktualisht
“Rasti më flagrant i ndryshimit të Rregullores ka qenë ai i vitit 2017 ku propozimet për ndryshime u depozituan më 11.09.2017 ndërsa shqyrtimi në strukturën përgjegjëse dhe seancë plenare u bë në të njëjtën ditë, më 14.09.2017, duke shkelur haptazi edhe afatet kushtetuese të shqyrtimit me procedurë të përshpejtuar.
I njëjti fenomen vihet re edhe me ndryshimet e propozuara më 06.12.2023”, thuhet në njoftim.
ISP vëren se, ndryshimi i Rregullores pa analizë paraprake, pa proces konsultimi dhe mbi të gjitha pa konsensusin e të gjithë spektrit politik në Kuvend është praktikë e dëmshme për parlamentarizmin.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje