Politike

Përfundon takimi i Këshillit Politik:Të gjithë duan hapjen e listave, por ndahen tek koalicionet

Palët në Këshillin Politik kanë rënë dakord parimisht që listat e kandidatëve të hapen 100 për qind në zgjedhjet e radhës, por përplasja tashmë është vendosur tek formula e përllogaritjes së mandateve dhe tek mënyra e ngritjes së koalicioneve parazgjedhore.

Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili propozuan atë që Lulzim Basha deklaroi gjatë orëve të pasdites pas takimit me aleatët e opozitës, që bazohej në tre pika; hapje 100 për qind të listave, mosndryshim të formulës aktuale të koalicionit dhe mosndryshim të formulës së përllogaritjes së mandateve.

“Opozita e bashkuar bëri prezent në Këshillin Politik, ashtu siç ne kishim kërkuar dhe premtuar, qëndrimin e saj të qartë në lidhje me një çështje themelore për reformën zgjedhore dhe për zgjedhjet, debatin në lidhje me ndryshimet për sistemin zgjedhor. Qendrimi i saj është shumë i qartë: nëse do të shkohet drejt hapjes së listave, listat duhet të hapen 100%, jo pjesërisht, me kusht që formula aktuale kushtetuese dhe ligjore e koalicioneve dhe formula për ndarjen e mandateve brenda koalicionit, të mos ndryshojë”, deklaroi Oerd Bylykbashi.

Opozita thotë se propozimi i saj rrëzon alibinë e Kryeministrit Edi Rama, se hapjen e listave e kërkojnë qytetarët, kur në të vërtetë, sipas saj, qëllimi i shumicës është ndalimi i koalicioneve parazgjedhore.

“Ajo që është fare e qartë për shqiptarët dhe për partnerët ndërkombëtarë është që Edi Rama, dashurinë e tij të fundit për listat e hapura e ka vetëm një alibi për të hequr koalicionet zgjedhore, për t’u bërë të pamundur shqiptarëve që, ndërkohë që u hapet lista dhe votojnë në mënyrë të veçantë kandidatët, e mbyll listën e partive, që zgjedhësit shqiptarë të mos e japin votën individuale për parti të veçanta. Pra, është një farsë, është një justifikim për Edi Ramën hapja e listave në funksion të këtij qëllimi, që të ndryshojë rregullat e garës së kundërshtarëve të tij politikë. Ne e bëmë shumë të qartë këtë qëndrim”, shtoi Bylykbashi.

PD dhe LSI kërkuan nga mazhoranca mbajtjen e një qëndrimi politik për propozimin e bërë, duke këmbëngulur se kjo formulë zbatohet edhe në vende të Bashkimit Europian.

“Përfaqësuesi i mazhorancës refuzoi të pozicionohej për propozimin e opozitës. Vende si Belgjika, Holanda, Danimarka, Italia, Greqia etj kanë aplikuar modelin e koalicioneve si në Shqipëri”, vijoi Bylykbashi.

Por, nga mazhoranca u përshëndet vetë pjesa e parë e propozimit, ai që ka të bëjë me hapjen e plotë të listave, pra edhe me hapjen e listave të partive, ndërsa propozimin për formulën e koalicioneve dhe formulën e përllogaritjes së mandateve zgjedhore, Damian Gjiknuri e anashkaloi.

“Është për t’u përshëndetur, që risitë kushtetuese që po diskutohen në Kuvend, janë gjetur me vend edhe nga opozita jashtëparlamentare. Hapja e listave ka sfida të mëdha administrative, ndaj duhet kujdes në mënyrën se si formohen koalicionet. Iu thamë që të gjejnë modele të vendeve me lista të hapura dhe që kanë koalicione të tilla parazgjedhore. Por deri tani nuk kemi gjetur”, u shpreh ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë