Ne rrjet

‘Të gjithë gabohen, Putini nuk do që t’i japë fund luftës’

“Nofulla, nofulla është më e mirë se sa lufta!” (Winston Churchill, 1954).

Siç ndodh shpesh me citimet e të famshmëve, kjo fjali nuk është ajo që tha vërtetë Churchill. Biografi i tij zyrtar Martin Gilbert raporton se thënia origjinale është: “Takimi nofull më nofull është më mirë sesa lufta”.

Pra dialogu është më i preferueshëm sesa lufta. Por edhe konteksti i kësaj deklarate është i rëndësishëm, sepse Churchill po shpjegonte pse diplomacia e samiteve ishte jetike për të parandaluar një luftë tjetër midis fuqive të mëdha.

Por ai nuk po argumentonte se diplomacia ishte gjithmonë më e preferueshme sesa të vazhdohej me luftën pasi kjo kishte filluar ndërkohë. Tek e fundit, një nga veprimet e tij të para si kryeministër në vitin 1940 ishte refuzimi i sugjerimeve se ishte koha për të eksploruar mundësinë e një paqeje të negociuar me Hitlerin, vetëm sepse në atë kohë, Gjermania naziste dukej se ishte e avantazhuar në luftën që sapo kishte nisur.

Një tjetër biograf i Churchill, Boris Johnson, e përdori këtë frazë dhjetorin e vitit të kaluar në bisedën që zhvilloi me Vladimir Putin mbi nevojën e bisedimeve si një alternativë ndaj luftës. Por, ndërsa nofulla mund të jetë vërtet më e preferueshme nga lufta, bisedimet dhe lufta në të njëjtën kohë janë një qasje shumë më problematike.

Pasi një marrëveshje për ndaljen e një lufte, do të përcaktojë se kush ka fituar dhe kush ka humbur. Asnjëra palë nuk do të dëshirojë të bjerë dakord me të, për sa kohë që ekziston mundësia që pozicioni i saj të përmirësohet përmes luftimeve të mëtejshme.

Ndërkohë, kur flitet për luftën aktuale në Ukrainë, ekziston një problem i mëtejshëm. Që nga pranvera e këtij viti, analistët kanë menduar se do të kishte kuptim që Putin të ofrojë një armëpushim që do t’i linte atij mundësinë për të treguar njëfarë arritje në pushtimin e Ukrainës, edhe pse për të njëjtën arsye Volodymyr Zelensky do të jetë i detyruar t’i refuzojë propozime të tilla.

Zelenskyt po i kërkohet që ta marrë seriozisht perspektivën e negociatave

Megjithatë, edhe pa pasur ndonjë propozim konkret në tryezë nga Putin, Zelenskyt po i kërkohet vazhdimisht që ta marrë seriozisht perspektivën e negociatave, në mënyrë që të përfitojë një lloj lehtësimi nga kjo luftë e përgjakshme dhe ta largojë rrezikun e përshkallëzimit.

Por, shumë më pak vëmendje i kushtohet anës ruse të këtij ekuacioni

Pse Putin nuk po kërkon bisedime? Ndodh kjo sepse ai ëndërron ende fitoren? Ndoshta. Por një arsye edhe më shqetësuese, është se ai nuk guxon që t’i japë fund luftës në një mënyrë që do të kërkonte pranimin e dështimit.

Në një kuptim themelor, pak gjëra kanë ndryshuar në këtë luftë që nga fundi i muajit shkurt. Ukraina është e vendosur t’i rezistojë pushtimit rus, dhe është e sigurt në aftësinë e saj për ta bërë këtë, teksa i druhet pasojave të tmerrshme nëse dështon. Që të përfundojë lufta, Rusia duhet të pranojë se nuk mund ta nënshtrojë dot Ukrainën, dhe të heqë dorë nga përpjekja e saj për ta bërë këtë.

Pasi u bë e qartë që pas 2 javëve të para, se strategjia fillestare e Rusisë po dështonte, në Perëndim pati shumë diskutime rreth nevojës për t’i gjetur Putinit një “rrugëdalje” apo ndonjë mënyrë “për t’i shpëtuar fytyrën”, pra për t’ia lehtësuar pranimin e dështimit.

U identifikuan disa fusha ku mund të ishin të mundshme lëshimet Ukrainës. Madje ka pasur disa negociata, përfshirë në nivelin e ministrave të jashtëm, por nuk u gjet asnjë kompromis. Deri në muajin prill, Kievi ishte më pak i interesuar ta ndihmonte Rusinë në gjetjen e një rrugëdalje, dhe kjo për shkak të sjelljes së saj brutale në territoret e pushtuara.

Qëndrimi i Zelenskit përmblidhet më së miri në një intervistë të kohëve të fundit: “Ne nuk kemi kohë për këtë diplomaci sepse rusët gënjejnë. Kjo nuk është diplomaci. Ata gënjejnë. Duan “shtigje diplomatike” për të ndaluar luftën. Por kjo është një gënjeshtër. Dje thanë: Ne jemi gati, Ukraina jo. Dhe sot na sulmuan me 54 raketa. Atëherë? Ata jane të çmendur.

Jetojnë në një planet tjetër. Në këto kushte synimi ynë është vetëm fitorja”.

Pak njerëz e kundërshtojnë të drejtën e Ukrainës për të pasur këtë pozicion. Por nga ana tjetër ka pasur pyetje të rregullta në lidhje me mençurinë e tij. Për disa, problemi është se qëllimet e Kievit në këtë luftë janë jorealiste. Ukrainës i mungojnë forcat e duhura për të rimarrë të gjithë territorin, ndaj duhet të arrijë një marrëveshje me Rusinë për të shmangur akoma më shumë vdekje dhe shkatërrime.

Ukrainës i mungojnë forcat e duhura për të rimarrë të gjithë territorin

Për të tjerët problemi është se qasja e Ukrainës është më shumë realiste sesa duhet. Le të supozojmë se ajo do të vazhdonte të çlironte territoret e pushtuara, dhe madje do të nisë të operacionet për çlirimin e Krimesë nga sundimi rus. A mundet që kjo ta shtyjë Putinin të përdorë armë bërthamore për të parandaluar poshtërimin total?

Ndaj, thonë ata, është më mirë të negociohet tani në mënyrë që Putini të mos ketë nevojë të përdorë një kërcënim kaq të tmerrshëm. Por çështjet në fjalë janë komplekse dhe nuk mund të zgjidhen me nxitim. Zelensky ka premtuar se do ta çojë në një referendum çdo marrëveshje.

Moska do të dëshirojë lehtësimin e sanksioneve, por kjo do të kushtëzohet me respektimin e angazhimeve së saj ndaj paktit që është arritur. Ajo që bie në sy në të gjitha këto debate, është se sa pak po kontribuon Rusia.

Moska nuk thotë kurrë se nuk ka interes për negociatat. Por më pas pretendon se problemi që i pengon ato është refuzimi i Kievit për të pranuar kërkesat e saj. Putin nuk ka treguar asnjë lloj nxitimi kur vjen puna për ta çuar luftën drejt një përfundimi të shpejtë. Edhe nëse do të vihej në tryezë një ofertë serioze, nuk mund të supozojmë se ai do ta shqyrtonte atë me kujdes.

Madje unë gjykoj se ne duhet të shqyrtojmë një mundësi tjetër: që Putini nuk ka interes t’i japë fund luftës së shpejti, nëse kjo do të kërkonte që ai të pranonte se nuk ka arritur dot objektivat e tij kryesore. Por ai ka përshkruar llojin e zgjidhjes që do të ishte i gatshëm të pranonte, dhe ajo nuk është një zgjidhje me të cilën mund të bien dakord Kievi apo mbështetësit e tij perëndimorë.

Sa i përket presidentit rus çështja e Krimesë nuk mund të jetë në asnjë rast pjesë e negociatave. Putin nuk ka pasur asnjë dyshim për “kontrollin e ligjshëm të Krimesë nga Rusia që nga viti 2014. Por tani ai po refuzon gjithashtu të pranojë se mund të ketë ndonjë dyshim të statusit ligjor të 4 provincave që ai ka aneksuar, Kherson, Zaporizhzhia, Donetsk dhe Luhansk, edhe pse asnjëra prej tyre nuk është plotësisht nën kontrollin e Rusisë.

Tani ai po refuzon gjithashtu të pranojë se mund të ketë ndonjë dyshim të statusit ligjor të 4 provincave që ai ka aneksuar

Kushti i tij për bisedime është që Zelensky të pranojë që këto rajone do të jenë përgjithmonë pjesë e Rusisë. Nëse ai ishte përpjekur të menaxhonte pritshmëritë duke e përgatitur popullin rus për një kompromis të mundshëm, shpallja e aneksimeve ishte lëvizja më e keqe e mundshme.

Për këtë arsye, ai nuk do të jetë në gjendje të pretendojë asgjë si “fitore”, nëse i mungon kjo lloj njohjeje. Putin mund të jetë një mjeshtër i manipulimit të opinionit publik rus, por edhe për të ka kufij.

Kur gjatë shtatorit, nisën të mbërrijnë lajmet e këqija për shkak të kundërofensivës së suksesshme të Ukrainës dhe më pas mobilizimi i dështuar rus, nuk pati asnjë përpjekje, madje as mes mbështetësve më të thekur të Putinit në mediat shtetërore ruse, për të pretenduar se gjithçka po shkonte mirë.

Edhe duke supozuar se Zelensky do të ishte i përgatitur të pranonte lëshimin e Krimesë dhe disa pjesëve të Donbasit, Putini nuk mund ta paraqesë më këtë si një “fitore”. Dhe nëse është kështu, atëherë kjo do të dukej si një humbje, skenar që përmban shumë rreziqe për Putinin.

Ekziston një dallim i rëndësishëm midis mos-fitimit dhe humbjes së qartë në një luftë

Duke pasur parasysh situatën aktuale në front, prioriteti i tij kryesor nuk është dhe aq fitorja – edhe pse kjo aspiratë nuk është zhdukur – sesa shmangia e një humbjeje të plotë. Dhe për Putinin rreziqet janë personale.

Kjo është lufta e tij, dhe ai nuk e ka fshehur atë që ka kërkuar të arrijë. Pasi të bëhet i pamundur mohimi i dështimit, atëherë gjykimi i tij do të rezultojë të jetë i gabuar dhe pozicioni i tij do të lëkundet ndjeshëm. Thënë thjesht:që Putini të qëndrojë në pushtet, Rusia duhet të qëndrojë në luftë.

Shqetësimi i tij nuk është vetëm se çdo marrëveshje e mundshme do të duket si humbje, por një marrëveshje që i jep fund luftimeve do të pasohet nga një llogaridhënie. Për sa kohë që lufta vazhdon, Putini mbrohet në një farë mase nga nxitjet patriotike për të mbështetur atdheun kur ai është në rrezik, dhe gjithashtu ka mundësi të forcojë censurën dhe të shtypë zërat kundër.

Pa luftë, do të dalin tërësisht në pah pasojat e marrëzisë së tij. Trashëgimia e tij nuk do të ishte një territor i zgjeruar, por një ekonomi e tkurrur, një izolim i vazhdueshëm ndërkombëtar, një reputacion i zvogëluar në arenën ndërkombëtare, dhe një mori ndjekësish të zhgënjyer, familje me shumë pjesëtarë të vrarë dhe veteranë të traumatizuar që nuk kanë asgjë për të kujtuar me krenari.

Burimi: New Statesman/Përshtati Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë