Ukraina dhe Rusia do të mbajnë rundin e ri të bisedimeve të hënën, tha zyrtari ukrainas, Davyd Arakhamia. Arakhamia udhëheq fraksionin parlamentar të partisë së presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenksy. Ai po ashtu është pjesëtar i delegacionit ukrainas në bisedimet me Rusinë. Sipas tij, në takimin e së hënës, palët do të bisedojnë për një marrëveshje armëpushimi dhe për korridore humanitare për evakuimin e civilëve.
Ndërkohë në arenën e përpjekjeve diplomatike për zgjidhjen e krizës, Izraeli është vetëofruar si negociator mes palëve. Kryeministri i Izraelit, Naftali Bennett, ka zhvilluar bisedime me presidentin rus, Vladimir Putin. Ky është takimi i dytë që presidenti rus ka zhvilluar me ndonjë liderë të huaj, që prej se forcat e tij nisën pushtimin e Ukrainës dhjetë ditë më parë.
Bennett ende nuk u është bashkuar liderëve ndërkombëtarë në dënimin e ofensivës ruse, duke theksuar se Izraeli ka lidhje të forta si me Moskën ashtu edhe Kievin. Ukraina më herët i ka kërkuar Bennettit që të ndërmjetësojë bisedimet për krizën.
Sipas një zyrtari izraelit, bisedimet midis Bennett dhe Putin në Kremlin kanë zgjatur tre orë. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov ka konfirmuar për agjencitë ruse të lajmeve se dy liderët kanë biseduar për situatën në Ukrainë. Zyra e Bennett po ashtu ka bërë të ditur se pas takimit me Putinin, ai ka biseduar me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Nga ana tjetër, Turqia dhe Shtetet e Bashkuara mbesin “në koordinim të ngushtë” teksa po punojnë për zgjidhjen diplomatike të pushtimit rus të Ukrainës. Në deklaratën pas bisedimeve midis zëvendësministrit të Jashtëm turk, Sedat Onal, dhe nënsekretares amerikane të Shtetit, Ëendy Sherman, në Ankara, Ministra e Jashtme turke tha se aleatët “kanë konfirmuar mbështetjen e tyre për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës”.
Edhe Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka biseduar me ministrin e Jashtëm të Kinës, Ëang Yi, lidhur me “luftën e paramenduar, të paprovokuar dhe të pajustifikuar të Moskës kundër Ukrainës”. Sipas zëdhënësit të Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price, sekretari Blinken ka thënë se bota po shikon se si shtetet po ngrihen për të mbrojtur parimet bazike të lirisë, vetëvendosjes dhe sovranitetit.
“Ai [sekretari Blinken] theksoi se bota po vepron njëzëri për t’iu përgjigjur agresionit rus, duke siguruar që Moska do të paguajë çmim të lartë”, tha Price.
Kina, një aleate e Rusisë, nuk e ka dënuar agresionin rus ndaj Ukrainës, por ka thënë se i “vjen keq” për konfliktin. /REL
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje