Kryeministri Edi Rama ka ndërmarrë një tur diplomatik për të ndikuar në shtensionimin e situatës mes Kosovës dhe Serbisë nisur nga ajo që po ndodh në veri.
Pas vizitës në Bruksel, kryeministri Edi Rama është ndalur në Holandë ku mori pjesë në një darkë zyrtare të organizuar nga sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.
Në konferencën e mëvonshme për shtyp, ku në fokus ishte Ukraina, kreu i qeverisë foli për veriun e Kosovës dhe jo pa qëllim hoqi një paralele me atë që po ndodh edhe në Ukrainë.
“Mund të diskutojmë edhe për situatën shqetësuese në Ballkanin Perëndimor, pra në veri të Kosovës, ku disa ditë e javë më parë ku ushtarët e KFOR u lënduan dhe ne urojmë që logjika të mbizotërojë dhe ulja e përshkallëzimit, sepse çdo përshkallëzim mund të sjellë fund katastrofik. Dhe nuk duam të shohim një fund në Ballkanin Perëndimor sepse kemi bërë shumë punë të mira” tha Rama.
Kryeministri vërejti se rreziku është real dhe duhet parandaluar vetëm përmes dialogut.

“Thjesht për ta bërë të qartë unë, thjesht deklarova që perspektiva e krijimit të një Donbasi të vogël në mes të Evropës për shkak të një përshkallëzimi është një kërcënim real. Ne duhet ta parandalojmë duke nxitur dialogun, duke e sjellë në nivel shumë të lartë edhe me SHBA. Ky është shqetësimi im, e ndava dhe e ndjeva dhe në Bruksel që të gjithë e kuptojnë që është koha për të vepruar dhe për të mos lejuar këtë spirale absurditeti që të hedhë poshtë atë që kemi ndërtuar deri tani me ndihmën e BE-së” tha ai ndërsa nënvizoi mbështetjen e Shqipërisë për Ukrainën.
“Është frymëzuese që jemi pjesë e NATO në këto kohë dhe vullneti për të qenë me Ukrainën në këto kohë është i palëkundur”, tha ai.
Duke komentuar situatën në Rusi dhe revoltën e Wagner, Stoltenberg tha se Rusia nuk duhet nënvlerësuar dhe duhet të vijojnë me mbështetjen për Ukrainën.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s u shpreh se në samitin e NATO-s që do të mbahet pas disa javësh në Vilnius, liderët e vendeve që janë pjesë e aleancës do të bien dakord për një sistem për mbrojtjen ajrore të Ukrainës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje