Komunitet

Të padëshiruar në BE, shqiptarët “në podium” për refuzimet dhe dëbimet

Shqiptarët renditen të dytët në botë për numrin më të lartë të të kthyerve në kufi nga vendet e Bashkimit Europian dhe të tretët po në botë për numrin e të dëbuarve nga hapësira e BE-së.

Shifrat dalin nga një raport vjetor i Eurostat për vitin 2020. Raporti thotë se numri më i lartë i shtetasve nga vendet jo anëtare të BE-së që u është refuzuar hyrja janë ukrainasit me rreth 56 mijë, ndjekur nga shqiptarët me 13 mijë e 300 vetë, ose rreth 10 për qind e totalit të refuzimeve, që është rreth 137 mijë vetë.

Po në harkun kohor të 12 muajve, shqiptarët renditen të tretë për nga numri i shtetasve që u dëbuan nga autoritetet e njërit prej vendeve anëtare të BE-së. Të parët janë algjerianët me 34 mijë, marokenët me 33 mijë e 600 shtetas dhe shqiptarët me 23 mijë e 200 shtetas.

Eurostat thotë gjithashtu se shqiptarët ishin në krye të listës së shtetasve jo qytetarë të BE-së që u dëbuan në një vend joanëtar të BE-së me 9800, ndjekur nga gjeorgjianët me 5700 dhe më pas ukrainasit me 5600.

Në total, Eurostat thotë se për shkak të kufizimit të lëvizjeve nga pandemia në BE pati 79 për qind më pak refuzime të hyrjes në krahasim me 2019. Numri më i lartë i refuzimeve u regjistrua në Hungari me 36 mijë e 500 shtetas, ndjekur nga Polonia me 28 mijë, Kroacia me 14 mijë e 700 dhe Rumania me 12 600. Pas Italisë dhe Greqisë, Kroacia dhe Hungaria janë dy rrugët e tjera më të përdorura nga qytetarët shqiptarë për të hyrë në BE.

Sa u takon qëndrimeve të paligjshme, Eurostat thotë se gjatë vitit të kaluar jkanë identifikuar rreth 557 mijë shtetas nga vendet e treta, një rënie me 73 për qind krahasuar me vitin 2015, kur u regjistrua numri më i lartë i qëndrimeve të paligjshme në BE me rreth 2 milionë raste.

Gjermania raportoi numrin më të lartë të qëndrimeve të paligjshme, me rreth 118 mijë shtetas të huaj, ndjekur nga Franca me rreth 104 mijë. Numri më i lartë i qëndrimeve të paligjshme u identifikua mes shtetasve sirianë, rreth 46 mijë ndjekur nga marokenët me rreth 41 mijë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë