Politike

Të përçarë edhe për lustracionin/ Pas Bylykbashit edhe grupi i Alibeajt depoziton një draft: Ata që i shërbyen regjimit, të ikin  

Vetëm pak minuta pas deklaratës së kryetarit të PD-së, Sali Berisha, gjatë bashkëbisedimit me gazetarët se, Paloka dhe Bardhi ishin në kontakte të vazhdueshme për të gjetur një zgjidhje, nga grupi i “Alibeajt” ia beh një projektligj për lustracionin, kur një të tillë depozitoi pak kohë me parë edhe Oerd Bylykbashi i “Rithemelimit”.

“…Qëllimi i këtij projektligji nuk është aspak hakmarrja, nxitja e urrejtjes, konfliktit apo përcarjes sociale, por nëpërmjet një kuadri ligjor të detajuar synon që të mbrojë institucionet e brishta shqiptare nga individë, të cilët në të kaluarën e tyre kanë qenë të angazhuar në strukturat e larta drejtuese të regjimit totalitar komunist apo ish-Sigurimin e Shtetit.

Kjo mbrojtje realizohet nëpërmjet shkarkimit nga detyra, në rastet kur personat janë të zgjedhur apo emëruar në detyrë, apo ndalimit të zgjedhjes apo emërimit, kur ata janë duke u përpjekur të zënë një funksion të caktuar publik.

Sidoqoftë, ky shkarkim nga detyra apo ndalim për të marrë një funksion publik nuk kryhet në mënyrë arbitrare, por nëpërmjet një procesi të rregullt ligjor që respekton të gjitha të drejtat dhe garancitë e përcaktuara nga Kushtetuta dhe Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Projektligji ka përcaktuar në një listë shteruese rrethin e funksionarëve publikë që i nënshtrohen verifikimit. Kjo listë përmban funksionarët më të lartë të shtetit shqiptar, qofshin ata të zgjedhur nga populli, të emëruar nga Kuvendi, të dekretuar nga Presidenti i Republikës, organe kushtetuese apo të krijuara me ligj, si dhe funksionarë që ushtrojnë detyra të një rëndësie të vecantë.

Nga ana tjetër, lista e funksioneve të mbajtura gjatë regjimit totalitar komunist, i referohet vetëm atyre detyrave, të cilat kanë qenë përgjegjëse për hartimin dhe zbatimin e politikave të dhunës dhe represionit, pra kanë shkaktuar një dëm aq të madh në shoqëri, sa duhen prezumuar fajtorë…”, tha Çollaku. Jo pa qëllim ai kujtoi se, “përgatitja e kësaj pakete ligjore ka filluar që në nisje të kësaj legjislature”, duke lënë të kuptohet se si nismë ishte filluar më parë nga ata se Rithemelimi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë