Policia e Pogradecit ka ndaluar një nga autorët e dyshuar të ngjarjeve të ndodhura me datë 1 gusht dhe 2 gusht pranë një hoteli në fshatin Tushemisht.
Policia thotë se në pranga është vënë shtetasi me inicialet M. T., 34 vjeç, banues në fshatin Buçimas, Pogradec (i dënuar më parë për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”).
Ndërkohë janë shpallur dhe 3 të tjerë në kërkim, konkretisht shtetasit I. B., 52 vjeç, banues në Tiranë; M. B., 34 vjeç, banues në Pogradec; B. S., 28 vjeç, banues në Pogradec.
Sipas policisë, dyshohet se këta shtetas pas një konflikti të mëparshëm me pronarin e hotelit dhe djalin e tij, në bashkëpunim midis tyre, më datë 1 gusht, kanë kanosur me armë zjarri përpara hotelit shtetasin J. M., 20 vjeç, i biri i pronarit, si edhe më datë 8 gusht kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të hotelit në pronësi të Jetmir Muçllarit, 47 vjeç, ku u shkaktuan dëme materiale tek godina e hotelit dhe 7 automjete të parkuara pranë tij, duke tmerruar banorët dhe pushuesit në Tushemisht.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua 1 mjet motor tip “Suzuki”, pa targë, 2 skafandra të përdorura nga autorët, ku janë fiksuar prova biologjike dhe balistike të tyre, fishekë luftarakë, si edhe pamje filmike të filmuara nga kamerat e sigurisë.
Materialet i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec për veprat penale “Kanosja”, “Shkatërrimi i pronës me mjete të tjera”, “Prishja e qetësisë publike”, “Armëmbajtja pa leje”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje