Lajme

Të zhdukurit në Vlorë, Salianji: Vendi, në emergjencë kombëtare

Opozita ka reaguar pas zbulimit në emisionin “Top Story” të shifrave dhe dëshmive tronditëse për të zhdukurit e trafikut të drogës në Vlorë.

Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, në një dalje për mediat nga selia blu tha se 80 persona janë denoncuar të zhdukur e të rrëmbyer në 3 vjet në zonën elektorale të kryeministrit.

Ai theksoi se me këto të dhëna provohet zyrtarisht denoncimi i PD-së për të zhdukurit e bandave të drogës në Vlorë.  

“Fatkeqësisht, çdo denoncim i Partisë Demokratike është provuar si i vërtetë. Kanabisi shitet nëpër shkolla si të ishte çaj mali, për pazare të prishura droge, bandat janë vrarë me njëra-tjetrën, kanë ekzekutuar rivalët në mes të qytetit, kanë zhdukur kundërshtarët në mes të ditës.

Dy muaj më parë, kryetari i Partisë Demokratike, denoncoi nga Vlora rrëmbimin dhe zhdukjen e dhjetëra personave, të dyshuar si të ekzekutuar në heshtje nga mafia e drogës në zonën elektorale të kryeministrit të vendit.

Çfarë bëri Edi Rama?

Përqeshi opozitën dhe mbuloi realitetin e tmerrshëm që sundon në Vlorë: Njerëzit rrëmbehen dhe zhduken pa lënë gjurmë, ndërsa policia nuk bën asnjë përpjekje për të hetuar aktet mafioze.

Por, tani e vërteta nuk mund të mbulohet më! Emisioni Top Story zbuloi shifrat dhe dëshmitë tronditëse për të zhdukurit e trafikut të drogës në Vlorë. Prokuroria pohoi zyrtarisht numrin 80 të të zhdukurve në 3 vjet. 80 të zhdukur është vetëm numri i denoncimeve që familjarët kanë bërë në polici për të afërmit e tyre”, tha ndër të tjera deputeti demokrat.

Sipas tij, vendi është në emergjencë kombëtare, prandaj është i domosdoshëm vettingu i politikanëve. 

“Vendi është në emergjencë kombëtare, prandaj është jetik ndarja e politikës nga krimi nëpërmjet vetingut të politikanëve, duke nisur që nga kreu i qeverisë.

Partia Demokratike garanton qytetarët se ne do t’i shtypim me forcën e ligjit bandat dhe kriminelët! Ne do të kthejmë rendin dhe sigurinë! Do të bëjmë gjithçka për rihapjen e hetimeve për zhdukjen e 80 personave për të vënë në vend drejtësinë e munguar! Partia Demokratike ka vullnetin për të çuar para drejtësisë çdo zyrtar që ka shërbyer si garant apo bashkëpunëtor i krimit, qoftë ai kryeministër, ministër, drejtor policie apo polic i thjeshtë”, përfundoi deputeti Salianji.       


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë