Politike

Teatri i kalon bashkisë, prish paqen Rama-Meta

Transferimi i truallit të Teatrit Kombëtar tek Bashkia e Tiranës përmes një vendimi të Qeverisë duket se ka prishur paqen e vendosur mes Presidentit Ilir Meta dhe mazhorancës socialiste të drejtuar nga Edi Rama.

Meta ka reaguar këtë të shtunë përmes një deklarate të gjatë ku i kujton mazhorancës se çështja e shembjes së Teatrit Kombëtar është dorëzuar prej tij në Gjykatën Kushtetuese. Presidenti Meta thekson se në muajin korrik 2019 ka depozituar në Gjykatën Kushtetuese një kërkesë e cila do të duhet ta shqyrtojë në themel këtë çështje.

“Në këtë proces gjyqësor, që duhet të shqyrtohet është palë si Këshilli i Ministrave, Bashkia Tiranë dhe Ministria e Kulturës, etj, ndaj marrja e një vendimi të tillë në këtë moment, rëndon pozitën antikushtetuese të veprimtarisë shtetërore ndaj këtij objekti me rëndësi kombëtare”, thotë Presidenti.

Në fakt, në Kushtetuese Presidenti ka dorëzuar ligjin special mbi të cilin u planifikuar fillimisht ndërtimi i godinës së teatrit të ri kombëtar nga ana e një kompanie private, që në këmbim përfitonte mijëra metra tokë publike për ndërtime komerciale. Por, Meta thotë e gjithë çështja nuk ka të bëjë vetëm me këtë ligj special.

“Më kryesorja lidhet me detyrimin ligjor që çdo veprim apo vendim shtetëror që synon apo ndërmerret për prishjen e Teatrit Kombëtar, cenon drejtpërdrejt parimet themelore kushtetuese të identitetit kombëtar dhe trashëgimisë kombëtare mbi të cilat qytetarët e Republikës së Shqipërisë kanë vendosur të ngrenë dhe zhvillojnë shtetin e tyre”, thotë ai.

Presidenti Meta deklaron se kompleksi i Teatrit Kombëtar mishëron vlerat e identitetit dhe trashëgimisë tonë kombëtare dhe transferimin e tij e vlerëson një procedurë ekstraligjore, që të gjithë përgjegjësinë e prishjes ja kalon Bashkisë së Tiranës.

“Kjo vendimarrje në praktikë do të thotë se aktualisht po përdoret një procedurë tjetër “ekstra ligjore” tashmë në përgjegjësinë vetëm të Bashkisë Tiranë, për të prishur godinat e Teatrit Kombëtar. Ky vendim i Këshillit të Ministrave dhe vullneti i shprehur i Bashkisë Tiranë nuk është në përputhje me funksionimin e shtetit të së drejtës dhe sundimit të ligjit, si dhe nuk përkon me vlerat e Bashkimit Europian, institucionet kulturore të të cilit kanë shprehur vullnetin për mbrojtjen e këtij objekti dhe restaurimin e tij”, vijon Presidenti.

Presidenti thekson se koha në të cilën është marrë vendimi, pra nën një gjendje fatkeqësie natyrore e bën akoma më të rëndë aktin.

“Presidenti u bën thirrje autoriteteve shtetërore, se çdo veprim apo vendim për të cenuar godinat e Teatrit Kombëtar është jashtë çdo logjike të funksionimit të shtetit të së drejtës dhe sundimit të ligjit në Shqipëri dhe do të dhunonte në mënyrë kriminale rendin kushtetues, në kundërshtim të plotë edhe me interesin publik dhe kombëtar”, thotë ai.

Meta kërkon nga Qeveria dhe Bashkia e Tiranës që të mos ndërmarrin asnjë veprim të mëtejshëm që cenon Teatrin Kombëtar.

“Këto institucione duhet të tregojnë vullnet dhe përkushtim për krijimin e mjediseve në dobi të aktorëve dhe të publikut, duke synuar ndërtimin e godinave të reja funksionale bashkëkohore, por njëkohësisht pa prekur dhe cenuar aspak trashëgiminë e krijuar ndër vite në kompleksin e godinave ekzistuese të Teatrit Kombëtar, pasi një humbje e tillë do të ishte përfundimisht e parikuperueshme në të ardhmen”, mbyllet reagimi i Presidentit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë