Ne rrjet

Telashe për Varhelyi, kërkohen hetime për raportet mbi Ballkanin

Parlamenti Europian kërkon nisjen e hetimeve të brendshme ndaj raporteve që mbajnë firmën e eurokomisionerit Oliver Varhelyi mbi ecurinë e vendeve aspirante për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian. Mediat hungareze i referohen një dokumenti, që e akuzojnë atë se ka “ndërhyrë për të anashkaluar shkeljen e vlerave demokratike dhe sundimit të ligjit në disa vende që janë në proces anëtarësimi”.

Sipas dokumentit që nis hetimin, Oliver Varhelyi “qëllimisht kërkon të anashkalojë dhe zvogëlojë rëndësinë thelbësore të reformave demokratike dhe të sundimit të ligjit në vendet që bashkohen me BE”, citon Népszava. Komisioni pritet të kryejë një hetim të pavarur për të sqaruar nëse “sjellja e komisionerit dhe politikat që ai mbështet shkelin kodin e sjelljes për anëtarët e Komisionit dhe detyrimet e komisionerit sipas Traktateve”.

Sipas Népszava, eurodeputetët votuan veçmas për pjesën e dokumentit ku kërkoheet një hetim dhe kaloi me 357 vota pro, 180 kundër dhe 95 abstenime.

Pas votimit, Eric Mamert, zëdhënës i lartë për Komisionin Europian, i tha Népszava se atyre u duhet kohë për të studiuar të gjithë raportin dhe do t’i përgjigjen gjetjeve të tij në kohën e duhur.

Eurodeputeti socialdemokrat holandez Thijs Reuten, i cili hartoi mocionin, i tha gazetës se Parlamenti dëshiron të shohë qartë nëse komisioneri hungarez i BE-së “po e bën punën e tij pavarësisht nga çdo ndikim politik dhe duke marrë parasysh interesat e përgjithshme të BE-së”.

Reuten tha se Varhelyi ishte i kujdesshëm për të thënë gjithmonë atë që pritet prej tij në publik.

“Por në praktikë, disa nga thëniet e tij janë jashtëzakonisht shqetësuese,” tha ai, duke vënë në dukje se kur Oliver Varhelyi takohet me liderët autoritarë në Ballkanin Perëndimor, ai nuk e refuzon kategorikisht retorikën e tyre të fortë separatiste, nacionaliste – raporton gazeta.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë