Komunitet

Telefonat dhe pajisjet digjitale, “tmerri” i prindërve. Si të bëhemi “miq” përmes edukimit teknologjik

Teknologjia dhe edukimi inovativ te fëmijët shqiptarë

Nga Blerina Goce – Teknologjia është gjuha e së ardhmes nëse flasim për zhvillimin, ndaj fëmijët dhe të rinjtë duhet të mësojnë të komunikojnë në këtë gjuhë

Një sistem i dalë kohe dhe i vjetërsuar nuk i përshtatet më kërkesave të kohës dhe sigurisht sistemi arsimor në Shqipëri, në kushtet e zhvillimit të vrullshëm teknologjik, duhet të reformohet dhe të përshtatet me atë çfarë tregu global kërkon.

Por si ndodh edukimi teknologjik te fëmijët dhe te të rinjtë shqiptarë? Çfarë u mungon të rinjve në fushën e teknologjisë dhe si mund të nxitet shpirti sipërmarrës nëpërmjet forcimit të edukimit inovativ?

Ky edukim teknologjik duhet të fillojë që në moshë të hershme dhe fëmijët duhet të nxiten për të forcuar talentet e tyre.

Fatkeqësisht, Shqipëria është ndër vendet e fundit për zhvillim teknologjik dhe inovacion në Europën Juglindore, megjithatë, mangësitë e sotme mund të jenë mundësi për eksplorim dhe zhvillime të reja për të rinjtë e pasionuar.

“Sipas raportit të gjeneruar nga World Economic Forum për zhvillimin e inovacionit, Shqipëria listohet te vendet më të ulëta për sa i përket aksesit në teknologji, procesit të automizimit, për programimin etj.”,- pohon Elona Xhaferri, menaxhere projektesh pranë Fondacionit Shqiptaro- Amerikan për Zhvillim, ndërsa shton se megjithatë kjo e keqe e ka dhe një të mirë.

“E mira e tregjeve si Shqipëria është se mungesa e zhvillimit të këtij tregu sjell mundësi. Një i ri që ka një mindset zhvillimi, gjithmonë sheh mundësi atje ku ka mungesa. Të rinjtë kanë mundësi të ofrojnë shërbime që mungojnë, që nuk janë të digjitalizuara, sidomos që prekin fushën e shërbimit në hoteleri, në turizëm, shërbim restorantesh, për digjitalizim edhe në formën e të mësuarit online, në krijimin e platformave mësimore.”, – vijon Xhaferri, ndërsa sjell në vëmendje se vetëm një vit më parë janë krijuar disa platforma digjitale, që janë përdorur për nxënësit në shkollat publike, siç ishte “akademi.al”.

“Pandemia pavarësisht mungesave ka ndihmuar të rinjtë që përmes teknologjisë të ofrojnë një shërbim të caktuar të munguar për një grup siç janë fëmijët e shkollave.”

Por cila është rëndësia e edukimit digjital që në moshë të vogël?

Ndërsa transformimi digjital është duke ndodhur gjithmonë e me hapa më të shpejtë në rang global, fëmijët janë të përfshirë në këtë proces dashur pa dashur, që në moshë të hershme.

“E rëndësishme është të kuptohet nëse janë thjesht përdorues dhe shfrytëzues të teknologjisë, apo dinë të jenë edhe krijues dhe zhvillues të saj. Përpos faktit që zotërimi i njohurive dhe aftësive digjitale do të jetë një avantazh i rëndësishëm konkurrues për ta në pothuajse gjithë fushat e jetës, edukimi digjital i hershëm ndikon gjithashtu pozitivisht në zhvillimin e vetëfëmijës”,- shprehet për gazetën “Si”, Meri Roboçi, MSc. Siguri Informacioni, e cila për momentin është e angazhuar si drejtuese e programit DISRUPTORS në Gjermani, programakselerimi për startupe.

Sipas saj, edukimi digjital i hershëm është shumë i rëndësishëm, pasi nxit kreativitetin, të menduarin analitik e kritik, si dhe i shkathtëson më tej fëmijët në marrëdhëniet ndërpersonale. Edhe Xhaferri pohon se mënyra se si përdoret teknologjia duhet të këtë në funksion krijimin, në mënyrë që fëmija të vendosë në punë fantazinë dhe të eksplorojë interesat që ka. Në këtë mënyrë, “teknologjia është inovatore nëse përdoret në mënyrën e duhur.”

Ajo sjell si shembull në Shqipëri, një nga programet e mbështetur nga AADF në fushën e edukimit, qendrën TUMO, një qendër që sipas saj po sjell revolucion për sa i takon misionit dhe shërbimit që ofron për të rinjtë në fushën e teknologjisë.

“Është një qendër që e kemi marrë me një marrëveshje franchise me qendrën kryesore Tumo në Armeni. Nëpërmjet kësaj qendre ofrohet ekspertiza në tetë fusha për fëmijët: programim, animacion, game development, dizajn grafik, film making, robotikë, muzikë dhe modelim 3D.

Janë fusha që aftësojnë fëmijët. TUMO ofron akses që në një teknologji që është më e zhvilluara, si në aspektin e pajisjeve, edhe në software dhe mjetet me të cilat fëmijët punojnë. Është një pedagogji të mësuari ndryshe nga institucionet publike: fëmija ka mundësi të eksplorojë dhe njohë mundësitë e veta duke eksperimentuar.”, shprehet Xhaferri, ndërsa shpjegon se kjo mundësi ofrohet për fëmijët 12-18 vjeç.

Pse është i rëndësishëm edukimi digjital?

Edukimi digjital konsiston si në mjetet dhe teknikat e mësimdhënies, edhe në përmbajtjen e kurrikulave edukative dhe në të dy aspektet është shumë i rëndësishëm për fëmijët. “Nëse marrim transformimin digjital të teknikave të mësimdhënies, është vërtetuar se fëmijët janë në gjendje të përvetësojnë më lehtësisht informacionet, që përcillen tek ata në mënyrë inovative”, vëren Meri Roboçi, ndërsa sjell si shembull shpjegimin e një koncepti, i cili në formën e një animacioni do të memorizohej shumë herë më lehtë nga një fëmijë, se sa një skemë e vizatuar në libër.

Të njëjtën gjë pohon dhe Xhaferri, ndërsa nënvizon se nëse nuk përdoret në mënyrën e duhur, teknologjia mund të ketë ndikime negative.

“Teknologjia është mjet me potencial zhvilimi, por dhe i rrezikshëm nëse nuk përdoret në mënyrën e duhur. Ajo që vemë re është se sot teknologjia përdoret si mjet konsumi dhe fëmijët shpenzojnë kohë të tëra me celular në dorë, ndërsa konsumojnë çfarë ofron ajo platformë. Përdorimi në këtë formë frenon fantazinë dhe nuk i edukon fëmijët me leximin e librit.

Që teknologjia të përdoret në mënyrë zhvillimore duhet që çdo pajisje të ofrojë përmbajtje mësimore. Pra, kontenti digjital mësimor do të ishte njëlloj si një libër, por teknologjia ofron akses në software-et që përmban, ku lidh tekstet e mësuara, bashkë me imazhet dhe audion.”

Sipas Xhaferrit, këto ndërthurje audiovizuale të teksteve mësimore e ndihmojnë fëmijën që të kuptojë më mirë, si dhe bën që fëmijët të ndërveprojnë me njëri-tjetrin dhe me mësuesin.

Kur dhe si duhet të fillojë edukimi digjital?

Roboçi thekson se kurrikulat mësimore duhet të shkojnë gjithmonë e më shumë drejt përmbajtjes digjitale dhe shkencave kompjuterike në tërësi, për vetë faktin se bota dhe tregu global po transformohen me hapa të shpejtë në këtë drejtim.


“Edukimi digjital mundet dhe duhet të fillojë që në hapat e para të të mësuarit. Pra, një fëmijë mund të mësojë konceptet bazë të teknologjisë, që pasi ka mësuar të lexojë e të shkruajë. Kjo mund të arrihet duke ndjekur orë mësimore të kodimit, sigurisë së informacionit apo shkencave kompjuterike në përgjithësi, të cilat i janë përshtatur kësaj grupmoshe, duke u zhvilluar në formën e lojërave edukative apo projekteve të llojit ‘mësojmë duke u argëtuar’.”,- vëren për gazetën “Si”, specialistja e teknologjisë.

Sipas Roboçit, në këtë formë, fëmijët marrin njohuritë e nevojshme, duke mos patur ngarkesë të tepërt të informacionit për moshën e tyre. 



Telefonat, “tmerri” i prindërve

Shumë prindër në ditët e sotme i kanë “tmerr” telefonat celularë, të cilët përdoret shumë nga fëmijët.

Por si mundet që përdorimi i telefonit dhe pajisjeve digjitale të menaxhohet dhe nga “armiq” (në disa raste) të jenë “miq” dhe të shërbejnë?!


“Fatkeqësisht, kufiri mes të mirave dhe të këqijave të internetit mund të kalohet lehtësisht nga kushdo, me apo pa dashje. Risqet online janë shpesh të kamufluara në mënyrë të tillë që është e vështirë të vlerësohet nëse kemi të bëjmë me një sulm kibernetik, vjedhje informacioni apo risk tjetër të këtij lloji”, shpjegon Roboçi, ndërsa shton se për të mbrojtur fëmijët nga armiqtë e internetit, është e rëndësishme t’i japim fokus edukimit të hershëm në sigurinë e informacionit.

“Njohja e risqeve të botës virtuale dhe mënyrave si mund të mbrohemi prej tyre, është e rëndësishme të bëhet me metoda mësimdhënieje profesionale, sidomos nëse edhe vetë prindi apo i rrituri kujdestar nuk ka një formim profesional në këtë fushë.”,- thekson specialistja. Ajo shpjegon se aplikacionet dhe faqet e internetit sot, ofrojnë një sërë teknikash se si mund të menaxhohet, bllokohet apo kontrollohet aksesi dhe aktiviteti i fëmijës online, të cilat mund të gjenden në ‘settings’ të çdo pajisjeje të çdo aplikacioni.

Megjithatë kjo nuk do të mjaftonte nëse fëmija vetë nuk do të ndërgjegjësohej për rëndësinë e një lundrimi të sigurt në internet, prandaj theksi duhet vendosur sërish tek edukimi digjital. 



Sa të sigurt janë fëmijët kur përdorin pajisjet digjitale dhe internetin?!

Për Roboçin, se sa të sigurt jemi në internet varet kryesisht nga ne: nga mënyra si menaxhojmë profilet tona online, si aksesojmë internetin dhe pajisjet e ndryshme digjitale dhe si ndërveprojmë me të tjerët në rrjetet sociale.

“Së pari është e rëndësishme të ndjekim rregullat e shkruara të përdorimit të internetit dhe pajisjeve të ndryshme, duke filluar që nga krijimi i fjalëkalimeve të sigurta”,- sugjeron ajo. “Gjithashtu, sjellja jonë online është e rëndësishme të mbahet në kontroll, duke mbajtur informacionet personale sa më private dhe duke kontrolluar rrjetin e miqve virtualë me të cilët komunikojmë. Për sa i përket kontrollit të aktivitetit të fëmijëve, ekzistojnë zgjidhje të njohura si ‘parental controls – kontrollet prindërore’, të cilat u japin mundësinë prindërve të monitorojnë aktivitetin në telefonin e fëmijës apo edhe atë online.”, vijon ekspertja e sigurisë së informacionit, Roboçi, ndërsa sugjeron që këto kontrolle të përdoren shoqëruar me biseda edukative me fëmijën, mbi rëndësinë e përdorimit të këtyre metodave.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë