Lajme

Tenderat, arrestime te Drejtësia. Verifikohen ish-ministrat e LSI

Prokuroria e Tiranës ka hapur një hetim mbi disa tendera të organizuara nga Ministria e Drejtësisë në periudhën 2016-2017, kur ky dikaster drejtohej nga Lëvizja Socialiste për Integrim. Janë vënë në pranga 4 ish-zyrtarë të kësaj ministrie nga 12 që janë hetuar. Tetë prej tyre janë me masën detyrim paraqitje.
Në lupën e verifikimit janë përfshirë edhe Ylli Manjani dhe Petrit Vasili. I pari u largua nga qeveria pas përplasjeve të forta me kryeministrin Rama dhe u pasua në këtë post pikërisht nga Vasili.

Prokuroria dyshon se veprat penale janë konsumuar në të paktën pesë raste, përkatësisht në tenderin për mirëmbajtjen dhe mbikëqyrjen e sistemit të menaxhimit të çështjeve (ICMIS) në shtatë Gjykatat Administrative, në tenderin për përmirësimin e sistemit të mbikëqyrjes në fushën penale, atë të përmirësimit dhe mirëmbajtjes së regjistrit noterial, në tenderin për kamerat e burgjeve në Lezhë dhe Fushë-Krujë, si dhe në tenderin për përmirësimin dhe mirëmbajtjen e sistemit elektronik të çështjeve të përmbarimit.

Shkeljet janë zbuluar fillimisht nga grupi i inspektimit të Ministrisë së Drejtësisë, e më pas dhe nga grupi i inspektimit të Ministrisë së Financave. Hetimet kanë nxjerrë në pah shkeljet e evidentuara të shoqëruara me pasoja të mëdha për buxhetin e shtetit.
Gjatë këtyre hetimeve është gjetur se disa nga sistemet objekt të këtyre procedurave të prokurimit, në një pjesë të madhe nuk janë funksionale. Për këtë çështje janë dhënë masa për ish-Sekretaren e Përgjithshme të Ministrisë së Drejtësisë, Juliana Hoxha dhe Drejtorin e Shërbimeve Mbështetëse, Aurel Lamçe si dhe për dy specialistët e IT, Lysien Ali dhe Arlind Alikaj.
Hetimet kanë pasur në fokus funksionarët publik që kanë qenë pjesë e njësive të prokurimit, komisioneve të verifikimit të ofertave dhe komisioneve për mbikëqyrjen e zbatimit të kontratave.

Kush janë zyrtarët e arrestuar?
Ish-sekretarja e Përgjithshme, Juliana Hoxha ka qenë më parë edhe kandidatja për deputete e PS-së në zgjedhjet e fundit parlamentare. Në listën shumëmërore të qarkut të Tiranës, Hoxha ka qenë e renditur e 24-ta në listën e 37 kandidatëve socialistë.

Juliana Hoxha, ish-sekretarja e Përgjithshme

Gjatë caktimit të ministrit teknik në ministrinë e Drejtësisë, përfaqësuesit të PD-së, Gazment Bardhi, ai i kërkoi zyrtarisht Departamentit të Administratës Publike që të zbatojë Kushtetutën, Kodin Zgjedhor dhe ligjin për nëpunësin civil, dhe të pezullojë nga detyra, Sekretaren e Përgjithshme të Ministrisë së Drejtësisë, Juliana Hoxha, pasi ushtronte funksionin në kundërshtim flagrant me ligjin. Për shkak të qenies së saj si kandidate për deputete në qarkun e Tiranës në siglën e PS-së, Bardhi kërkoi që kryeministri Edi Rama ta largonte atë nga detyra për shkak të zbatimit të ligjit. Pavarësisht se DAP nuk pranoi kërkesën e ministrit, Bardhi nuk lejoi që Hoxhaj të hynte në ministrinë e Drejtësisë, duke i deklaruar se mund të paraqitej në punë pas zgjedhjeve parlamentare.
Ndërsa Aurel Lamçe ka qenë prej kohësh zyrtar i lartë në Ministrinë e Drejtësisë, edhe gjatë kohës që ministra kanë qenë Ylli Manjani dhe Petrit Vasili. Aktualisht, ai mban funksionin e drejtorit në Drejtorinë e Përgjithshme Ekonomike dhe e Shërbimeve Mbështetëse në Ministrinë e Drejtësisë. Ai njihej si person që ka mbështetur Lëvizjen Socialiste për Integrim.

Aurel Lamçe, drejtor në Drejtorinë e Përgjithshme Ekonomike dhe Shërbimeve Mbështetëse

Reagimi i Ylli Manjanit:
Ish-ministri i drejtësisë, Ylli Manjani, ka reaguar pas lajmit se ai ishte nën verifikim nga ana e Prokurorisë së bashku me Petrit Vasilin, për shkak të disa tenderave të dyshimtë që janë dhënë në këtë dikaster. Ish-ministri Ylli Manjani ndër të tjera shpreh keqardhjen për ish-zyrtarët e arrestuar.
“Sapo u zgjova u njoha me lajme ‘bombastike’ mbi disa arrestime zyrtarësh.
Mendova për një çast se kush e di çka ndodhur me çështjen e unazës së re apo ndonjë koncesion apo blerje votash….
Por jo! Ishin arrestuar disa zyrtarë dhe ish zyrtarë të Ministrisë së Drejtësisë. Ende nuk kuptoj nëse janë arrestuar, pra me vendim gjykate, apo shoqëruar e ndaluar nga policia.
Nuk më erdhi mirë sigurisht! Janë punonjës të asaj Ministrie dhe për aq kohë sa kam punuar me ta, ndjej keqardhje”, shkruan ish-ministri Manjani në “Facebook”.
Ndërkaq, për verifikimin ndaj tij dhe Vasilit shprehet se: “Nëse ky pushtet ka mbaruar punë me trafikun e drogës, kanabizimin e vendit, koncesionet e PPP, tenderat e infrastrukturës dhe abuzimet miliona e eurove, le t’i verifikojnë edhe shërbimet mbështetëse të Ministrisë së Drejtësisë. Biles edhe të kohës së sotme, se i njëjti personel është”.

https://www.facebook.com/permalink.php?story_fbid=609402642837513&id=100013033472627


Ylli Manjani është emëruar në postin e ministrit të Drejtësisë në datë 10 nëntor të 2015-ës, duke zëvendësuar Nasip Naçon të dy përfaqësues të LSI-së teksa ka ndenjur në këtë post deri më 30 janar të 2017-ës. Në këtë post, Ylli Manjani është zëvendësuar nga Petrit Vasili gjithashtu përfaqësues i LSI-së që ka qëndruar në krye të Ministrisë së Drejtësisë deri në maj të 2017, kur u zëvendësua nga ministri teknik i Drejtësisë, Gazmend Bardhi.
Zyrtarët e akuzuar:
Të arrestuar;
Juliana Hoxha, Lysien Ali, Arlind Alika, Aurel Lamçe
Në detyrim paraqitje;
Marsuela Aliaj, Doralda Muka, Arlin Arapi, Orgesa Goga, Eris Sheshi, Ethem Vigani, Ornela Bleda, Ilir Çuni
Po verifikohen;
Ylli Manjani, Petrit Vasili


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë