Në atë që ishte konsideruar “ndeshja e Ali Memës”, Tirana nuk ia doli të fitonte dhe t’ia dedikonte suksesin ish-lojtarit të madh bardheblu, i ndarë nga jeta pak ditë më parë. Nderimet që ekipi dhe tifozët i bënë figurës së legjendës bardheblu, e prekën shumë trajnerin Ardian Mema, djalin e Ali Memës. Në këtë ndeshje Ardian Mema qëndroi në tribunë, pasi është i pezulluar nga Disiplina.
Ndeshja u mbyll në barazim 1-1, por në ato 98 minuta, duke llogaritur edhe shtesën, ndodhi gjithçka. Laçi barazoi në fund të minutave shtesë me anë të Xhixhës. Në këto momente pati tension dhe drejtuesit e Tiranës u futën në fushë, duke kontestuar vendimet e kryesorit Kridens Meta. Ata kanë kontestuar fuqishëm minutat e shumta shtesë të akorduara nga Meta, 6 të tilla dhe që në fund shkuan në 8 minuta. Ka pasur problem edhe për një nga asistentët e tij, Nertil Bregasin, i cili është goditur nga një shishe e hedhur nga tribuna. Por pas ndeshjes pati edhe dhunë në ambientet e brendëshme të stadiumit. Sulmuesi i Tiranës, Majkëll Ngo, është sulmuar fizikisht nga pjesëtarët e stafit dhe lojtarët e Laçit, mes tyre edhe djali i presidenti Pashk Laska. Gjithçka është filmuar nga kamerat.

Sikur të mos mjaftonin mungesat e dy titullarëve Maveje dhe Karabeci, brenda pjesës së parë Tirana humbi edhe dy lojtarë të tjerë për shkak dëmtimi. Turtulli dhe Ngo lanë fushën dhe u zëvendësuan nga Goxhaj dhe Sentamu. Ishte pikërisht ky i fundit që e kaloi Tiranën në avantazh në fundin e pjesës ë parë. Tirana kishte mundësi të dyfishonte, pasi fitoi një penallti me Halilin, por Hasani gaboi përballë portierit Selmani. Laçi shtoi presionin dhe në fundin e shtesës, kur kishte mbetur me 10 vetë, pas largimit të Najdenov me karton të kuq, barazoi në një kundërsulm me Xhixhën. Aty erdhi edhe shpërthimi i drejtuesve të Tiranës ndaj arbitrit.
Ndërkohë sherri ka vazhduar edhe në korridoret e dhomave të zhveshjes, ku shihet qartë në videon e mëposhtme se si ka degraduar gjithcka në përplasje fizike. Në pamje dallohet Presidenti i Laçit, Pashk Laska i cili ndërsa ekipet po futen në dhomat e zhveshjes, i thotë diçka sulmuesit të Tiranës Majkëll Ngo. Ky i fundit shfaqet në pamjet filmike duke u afruar pranë korridorit që të çon në dhomat e zhveshjes së ekipit të Laçit dhe duket se ka një replikë me Presidentin e Laçit. Pas këtij momenti në korridor një person me xhaketë sulmon duke goditur sulmuesin e Tiranës. Pikërisht në këtë moment sherri bëhet masiv dhe futbollistë të dy ekipeve dhe pjesëtarë të stafeve krijojnë një rrëmujë të madhe.
Si dy vite më parë, Tiranës i duhet të luftojë për mbijetesë në Superiore. Barazimi me Laçin e ka futur në sttes skuadrën bardheblu, që ka një avantazh prej 6 pikësh nga Kastrioti, por rreziku mbetet gjithsesi.

Për fatin e Tiranës, Kastrioti u mund në fushën e Teutës, me rezultatin 1-0. Ndeshja e zhvilluar në stadiumin “Niko Dovana”, u vendos nga një autogol i Julian Shehut në pjesën e parë. Teuta është kthyer te fitorja, ndërsa krutanët mbeten në vendin e parafundit, që të çon në Kategorinë e Parë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



Lini një Përgjigje