Futboll

Tension i lartë te Barcelona, Mesi kundër drejtorit sportiv Abidal

Situatë e tensionuar te Barcelona. Lionel Mesi ka dalë hapur publikisht kundër drejtorit sportiv, Erik Abidal. Francezi ka thënë se fundi se trajneri Ernesto Valverde u largua, sepse nuk e donin lojtarët, çka nuk i ka pëlqyer aspak argjentinasit.

Për të përditshme spanjolle “Sport”, Abidal konkretisht është shprehur: “Shumë lojtarë nuk ishin të kënaqur dhe nuk punonin si duhet, kur skuadra drejtohej nga trajneri Valverde. Janë disa gjëra që si ish-lojtar, jam në gjendje t’i nuhas. U thashë drejtuesve të klubit atë që mendoja dhe se duhej bërë diçka”. Një sulm ndaj lojtarëve të ekipit katalanas, të cilët nuk e kanë pritur aspak mirë dhe ndër të parët që ka reaguar ishte Mesi.

Reagimi i Lionel Mesit, pas fjalëve të Abidalit. Gazeta Si, 5 shkurt 2020

Në Instagram argjentinasi ka sulmuar direkt ish-shokun e skuadrës, duke futur në rreth edhe pjesë e “inkriminuar” të intervistës së Abidalit. “Të flasë me emra konkretë, sepse kështu na bën pis të gjithëve, – shkruan Mesi. – Sinqerisht, nuk më pëlqen të merrem me këto gjëra, por mendoj se secili duhet të jetë i përgjegjshëm për fjalët që thotë dhe të mbajë përgjegjësi për vendimet që merr. Lojtarët përgjigjen për atë që ndodh në fushë dhe ne kemi qenë të parët që kemi pranuar se nuk kemi luajtur mirë.

Edhe drejtuesit e klubit duhet të mbajnë përgjegjësitë e tyre për situatën, për vendimet që kanë marrë. Kur flitet për lojtarë, duhen përmendur emrat, sepse në të kundërt ushqehen gjëra që nuk janë të vërteta”, – përfundon Mesi, duke dërguar një mesazh shumë të qartë për drejtuesit katalanas”. Një situatë vërtet kaotike dhe sipas shtypit spanjoll, presidenti i Barcelonës, Bartomeu, ka thirrur me urgjencë drejtorin sportiv Abidal. Mediet kanë filluar të aludojnë se francezi mund të shkarkohet, por ende nuk ka një vendim zyrtar.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë