Ne rrjet

Tensionet në veri të Kosovës mes zyrtarëve serbë dhe atyre rusë

Prania e zyrtarëve rusë në objektet e ushtrisë serbe, që ndodhen në kufirin midis Serbisë dhe Kosovës, është një mesazh konfuz nga Beogradi, që mund të dënohet nga vendet perëndimore. 

Më 26 shtator, ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Nebojsha Stefanovic, dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Serbe, Millan Mojsilloviq, kanë vizituar disa ushtarë serbë, që janë vendosur në gjendje të gatishmërisë luftarake në bazën ushtarake të Rudnicës. Kjo bazë gjendet pranë qytetit të Rashkës në Serbi, rrugës për në pikën kufitare të Jarinjës.

Me ta ka qenë edhe ambasadori i Federatës Ruse në Beograd, Aleksandr Botsan-Kharchenko, si dhe i dërguari rus për mbrojtje, Aleksander Kharchenko.

Jakshiq vlerëson se kjo është një pikë diplomatike për Moskën, por dështim i Beogradit.

“Moska vazhdon ta përdorë me sukses konfliktin e Kosovës si kanalin më të rëndësishëm për zgjerimin e ndikimit të saj. Në anën tjetër, Beogradi e ka marrë pa u menduar ambasadorin në Rashkë dhe nuk ka dyshim se Perëndimi do ta interpretojë këtë si provokim”, thotë analisti serb i politikës së jashtme, Boshko Jakshiq.

Ministria serbee  Mbrojtjes thekson se Stefanovic ka falënderuar mysafirët nga Rusia “që janë njoftuar me situatën në vijën administrative dhe në veriun e Kosovës.

Ambasadori rus thuhet se ka konfirmuar mbështetjen e Rusisë për pozicionin e Beogradit dhe se ka shprehur shqetësimin e Moskës zyrtare.

“Kjo ka për qëllim pastrimin etnik të Kosovës”, ka thënë Kharchenko.

Ambasadori rus e ka shfrytëzuar vizitën për të komentuar edhe pozicionin e vendeve perëndimore, të cilat i ka cilësuar si “të çuditshme” dhe “të dëmshme”. Ai ka thënë se ato “09 mbyllin sytë në një situatë shumë të rrezikshme”, ndonëse, sipas tij, “të gjithë e kuptojnë se kush është fajtor dhe cila është arsyeja e një provokimi të tillë”.

Analisti serb, Dragomir Angjellkovic, thotë se Federata Ruse, në këtë mënyrë, i jep mbështetje Serbisë dhe përçon mesazhin se do të qëndrojë prapa masave që do t’i marrë Beogradi.

“Ky mesazh është dërguar kryesisht në Beograd, ndërsa të gjithë të tjerët, në bazë të kësaj, mund të konstatojnë se Beogradi ka më shumë hapësirë për manovrim, nëse është e nevojshme për të mbrojtur serbët në Kosovë”, thotë Angjellkovic.

Sipas tij, prania e zyrtarëve rusë në objektet ushtarake të Serbisë kontribuon në qetësimin e tensioneve, sepse “Bashkimi Evropian, i cili është garantues i Marrëveshjes së Brukselit [për lëvizje të lirë], nuk ka bërë asgjë për ta zbatuar atë marrëveshje”.

Jakshic në anën tjetër, thotë se mesazhet kontradiktore të Beogradit krijojnë një gjendje të konfuzionit të përgjithshëm.

Sipas tij, presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçic, përsërit se anëtarësimi në Bashkimin Evropian është një angazhim gjeostrategjik i Serbisë, por, në të njëjtën kohë, edhe pee vazhdimisht bën lëvizje që e vënë në dyshim këtë”.

Kjo bëhet gjithmonë për shkak të koncesioneve ndaj Rusisë, thotë Jakshiç.

“Në këtë kontekst, shkuarja e ambasadorit Kharchenko në jug të Serbisë është një konfirmim tjetër i qëndrimit të ndrojtur të Qeverisë së Vuçiçit ndaj Kremlinit”, shton Jakshic.

Ministri i Mbrojtjes i Serbisë është takuar me ambasadorin e Rusisë në Beograd edhe më 22 shtator.

Sipas një komunikate në faqen e Ministrisë serbe të Mbrojtjes, Stefanoviq, ai ka shprehur “mbështetjen e fuqishme dhe të qëndrueshme që Federata Ruse i jep Serbisë në ruajtjen e integritetit dhe sovranitetit të saj territorial, veçanërisht në këto kohë të vështira që po përjeton popullata serbe në Kosovë dhe Metohi”.

Sipas Stefanoviqit, situata aktuale, “në të cilën Prishtina shkel liritë e lëvizjes, duke imponuar masa të reja të njëanshme, paraqet vazhdim të mosrespektimit të Marrëveshjes së Brukselit”.

Stefanovic po ashtu e ka ftuar Rusinë që të marrë pjesë në panairin e ardhshëm ushtarako-teknik “Partner 2021”, i cili do të mbahet në Beograd në muajin tetor.

Serbia dhe Rusia kanë mbajtur tradicionalisht marrëdhënie të ngushta.

Dy vendet nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, e cila është shpallur në vitin 2008.

Rusia voton kundër pranimit të Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, ndërsa Serbia, në këmbim, refuzon të vendosë sanksione ndaj Moskës. (REL)


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë