Tensioni në këtë fund kampionati është i madh te Milani, reflektohet në fushë, por edhe në stolin e rezervave. Në ndeshjen e fundit me Bolonjën, ku kuqezinjtë fituan 2-1 dhe rindezën shpresat për vendin e 4-t, vëmendjen më të madhe e mori sherri mes Gatuzos dhe mesfushorit Bakajoko. Ky i fundit u filmua nga telekamerat, duke sharë trajnerin e tij. Bilia pësoi një dëmtim në pjesën e parë dhe Gatuzo i kërkoi Bakajokos të bënte nxemjen, por francezi po vonohej dhe trajneri i Milanit hodhi në fushë Hose Maurin. Më pas iu drejtua Bakajokos mjaft nervoz: “Ti je i çmendur!” Lojtari iu përgjigj me një sharje: “Fuck You man”, – ishin fjalët e francezit, të përsëritura tri herë.
Një skenë që u bë menjëherë virale bnë rrjetet sociale. Trajneri Gatuzo u shpreh pas ndeshjes me Bolonjën se do të sqarohet “kokë më kokë” me futbollistin, ndërsa Leonardo, një nga drejtuesit kryesorë të klubit kuqezi, e bëri të qartë se për Bakajokon do të ketë masa ndëshkuese, sepse ka gabuar. Mesfushori i ardhur nga Çelsi në Milano është munduar të sqarojë gjithçka me një status në Tuiter, ku shprehej: “Nuk bëra gjë tjetër përveçse përsërita fjalët e trajnerit. Nuk refuzova kurrë që të hyj në fushë”. Ky është versioni i Bakajokos, i cili lë të kuptohet se ka qenë trajneri Gatuzo ai që e ka ofenduar dhe ai i është përgjigjur me të njëjtën monedhë.

“Nuk mund ta pranoj që një futbollist të refuzojë të hyjë në fushë, kur ia kërkon trajneri, sepse ai nuk respekton klubin dhe shokët e skuadrës”, – u shpreh trajneri Gatuzo. Bakajoko e ka hedhur poshtë këtë gjë, duke shpjeguar: “Isha në stol dhe isha gati të jepja 200% edhe nëse luaja vetëm 5 minuta. Kur Bilia u dëmtua, m’u kërkua të bëhesha gati dhe e bëra menjëherë, shkova të bëja nxemjen për 2-3 minuta. Më pas më thirrën në stol. Kjo ndodhi nga minuta e 23-të në të 26-ën e pjesës së parë. Kur u ula në stol, trajneri m’u drejtua me fjalë që nuk i prisja, ndaj dhe reagova duke përsëritur fjalët e tij. Asgjë më shumë se kaq.” Tani pritet të mësohen masat që do të marrë klubi kuqezi për futbollistin francez.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



Lini një Përgjigje