Futboll

Tërhiqet edhe Milani. Akuza të forta nga Spanja: UEFA u ofroi para anglezëve

Presioni i madh politik dhe një “Jo” unanime nga ana e tifozëve bëri që 6 skuadrat angleze të tërhiqeshin nga Super Liga. Liverpuli, Totenhemi, Arsenali, Çelsi, Mançester Siti dhe Junajtid duket se e kanë braktisur përfundimisht turneun e ri “anti-Çampions”, që e themeluan bashkë me Real Madridin, Barcelonën, Atletiko Madridin, Juventusin, Interin dhe Milanin.

Por, me sa duket, nuk janë vetëm arsyet e përmendura më lart ato që sollën tërheqjen e klubeve angleze: sipas “Mundo Deportivo”, ka edhe një arsye ekonomike, një ofertë e mirë parash nga ana e UEFA-s.

Logot e 6 skuadrave angleze që u tërhoqë nga Super Liga. Gazeta Si, 21 prill 2021

E përditshmja spanjolle shkruan se UEFA ka luajtur një rol thelbësor në vendimin e “Big Six” për të dalë nga Super Liga. Qeveria e futbollit europian u ka bërë atyre një propozim ekonomik për t’i bindur të tërhiqen. Një ofertë e tillë, sipas “Mundo Deportivo”, nuk u është bërë klubeve spanjolle, që nga organi që drejton futbollin europian, shihen si armiku kryesor, të udhëhequr nga Real Madrid dhe Florentino Perez.

Për këtë arsye, skuadrat spanjolle nuk kanë mbajtur ende qëndrim negativ në lidhje me zhvillimin e turneut. Madje, Barcelona dhe Real Madrid duken larg nga ideja e tërheqjes nga Super Liga.

Janë tërhequr ndërkohë zyrtarisht Interi fillimisht dhe tashmë edhe Milani, duke pohuar se janë treguar të ndjeshëm ndaj reagimit të tifozëve. Po ashtu, edhe Andrea Anjeli, presidenti i Juventusit, ka thënë se turneu i ri është duke perënduar.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë