Një krizë e thellë mentale. Simone Biles nuk kërkon justifikime dhe nuk fshihet pas dëmtimeve të mundshme: tërheqja e saj nga kompeticioni si skuadër, që i kushtoi Anmerikës humbjen e medaljes së artë (mori të argjendtë), lidhet me stresin. “Duhet të përqendrohem te gjendja ime mentale dhe të vë në plan të parë shëndetin”, – ka thënë kampionia amerikane.
Një rrëfim i hapur i sportistes që ka bërë historinë e gjimnastikës artistike botërore. “Nuk kam më besim në vetvete si më parë, – shpjegon 24-vjeçarja, fituese e 4 medaljeve të arta në Rio 2016 dhe e para gjimnaste në histori që ka fituar 5 tituj botërorë në konkurse individuale. – Nuk e di, nëse është një çështje moshe. Tani jam më nervoze kur hipi në pedanë”.

Më tej, Biles ka shtuar: “Nuk po argëtohem më si më parë. Këto janë Lojërat Olimpike dhe duhet t’i kaloja në mënyrën më të mirë, por në fakt po marr pjesë më shumë për të tjerët se për veten. Më dhemb shumë që ajo që kam dashur të bëj më është marrë. Sapo hipi në pedanë nuk jemi vetëm unë dhe mendja ime, aty janë edhe demonët, me të cilët duhet të përballem”.
Gjimnastja tani ka nevojë për qetësi. “Duhet të bëj atë që është e drejtë për mua, të përqendrohem te shëndeti ime mental dhe të mos kompromentoj shëndetin, ndaj dhe vendosa të bëj një hap prapa dhe të lejoj shoqet e mia të bëjnë punën e tyre. Dhe e kanë bërë shumë mirë, janë nënkampione olimpike dhe për këtë duhet të ndihen krenare. E bënë pa mua, nuk besoj se ishin të vetëdijshme për këtë më parë”, – është shprehur Biles.
Mbetet tashmë dyshimi, nëse Simone mund ta marrë veten për konkursin individual pas këtij rrëfimi dramatik. Dy ditë më parë Biles kishte shkruar në profilin e saj në Instagram: “Ndonjëherë ndjej gjithë peshën e botës mbi shpatullat e mia”. Sot Simone e ka hequr këtë peshë nga shpina, ndërsa Komiteti Olimpik Amnerikan ka duartrokitur vendimin e gjimnastes dhe i ka garantuar mbështetje maksimale.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje