Bota

Tërmeti në Turqi dhe Siri, shpëtohen dy të rinj pas 11 ditësh nën rrënoja

Gazeta Si – Rreth 11 ditë (261 orë) pas tërmetit shkatërrues që goditi Turqinë dhe Sirinë, dy të rinj të moshës 26 dhe 34 vjeç u nxorën të gjallë nga rrënojat e një spitali privat në qytetin turk të Hatay.

Ekipet e shpëtimit po punonin rreth ndërtesës së shembur kur dëgjuan një zhurmë, ndoshta një zë dhe gërmuan në atë drejtim.

Mustafa Avci, njëri nga të shpëtuarit, kishte qenë në spital për një kontroll kur ra tërmeti, tha babai i tij për CNN. Ata u dërguan në spitalin e improvizuar të Hatay për trajtim, tha ministri i shëndetësisë.

Të premten, ministri turk i Shëndetësisë Fahrettin Koca publikoi një video që tregonte bisedën telefonike mes Avci dhe mikut të tij, 11 ditë pas goditjes së tërmetit.

Një ditë më parë në Turqi, një 17-vjeçare u arrit të nxirrej shëndoshë e mirë nga rrënojat e pallatit ku ajo banonte.

17-vjeçarja Aleyna Ölmez u shpëtua nga rrënojat në ditën e 11-të të tërmetit në Kahramanmaraş, duke parë dritën e diellit pas më shumë se 248 orësh në rrënoja.

Sipas bilancit të fundit, të publikuar nga burime mjekësore, viktimat e tërmetit me magnitudë 7.8 që goditi Turqinë dhe Sirinë më 6 shkurt, janë mbi 41 mijë.

Në Turqi, të vdekurit e konfirmuar janë 38,044, ndërsa në Siri 3,688.

Mbrëmjen e së enjtes një pasgoditje e fortë me magnitudë 5.2 goditi zonën mes Turqisë dhe Sirisë.

Epiqendra ishte në Iskenderun, në jug të Turqisë. Në Aleppo, në veri të Sirisë, një tjetër ndërtesë u shemb, duke lënë më shumë viktima nën rrënoja.

Rreth 4,734 pasgoditje janë regjistruar në vend në njëmbëdhjetë ditët e fundit, sipas Autoritetit të Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave të Turqisë (AFAD).


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë