Politike

Territorialja / Ekspertët e PS: Jo ndryshim të bashkive, s’kemi studime, por… politika vendos në fund       

Mbledhja e të martës e Komisionit për Reformën Territoriale u fokusua tek propozimet e ekspertëve të mazhorancës.

Eksperti i PS, Artan Shkëmbi bëri një rezyme të ndryshimeve territoriale, duke u fokusuar tek efektet pozitive që pati kjo reformë e miratuar që në vitin 2014.

Ai nënvizoi se nuk ka studime të thelluara për të bërë ndërhyrje që të shtohet numri i bashkive. Edhe pse ia la politikës debatin për  reformën, Shkëmbi nga ana e tij fillim e mbarim të draftit tha se skema aktuale po funksionon si duhet

“Buxhetet janë rritur vit pas viti në njësitë vendore dhe të ardhurat e bashkive nga taksat dhe vendore janë rritur, si dhe kontributi nga pushteti qendror është rritur. Po ashtu dhe çështjet e pronësisë janë të rritura. Sot kemi plane vendore thuajse për të gjitha bashkitë. Më herët asnjëherë nuk kemi patur kësisoj planesh, për shkak të mungesës së mbështetjes financiare për njësitë vendore. Kësaj radhe ndodhi ndryshe, pasi planet vendore dhe mbështetja buxhetore u garantua për të 61 bashkitë.

Sistemet e zjarrfikësve u vendosën në të gjitha bashkitë, duke  u investuar në qendra të reja për zjarrëfikësit. Nga 38 qendra që ishin në 2014, sot kemi 70 stacione zjarrëfikës. Sot kemi 1 250 punonjës, nga më pak se gjysma që ishin në 2014… Sot të 61 bashkitë kanë faqet zyrtare të internetit me informacion të përditësuar dhe të bollshëm. Sot në të 61 këshillat bashkitë transmetojnë live mbledhjet e komisionit dhe këshillave. Po ashtu në zyrat e bashkive është dhe zyra e BE-së, që kontribuon në komunitet për çështjen e integrimit në BE.

Ministria e Financave deklaron 35% më pak punonjës në administratën e bashkive se në 2014. Ka një rritje të numrit të punonjësve të sektorit të shërbimit që ofrojnë shërbime publike direkte. 76% më pak këshilltarë, 6500 ishin në 2014, sot 1600”, tha Shkëmbi.

Sa i përket pretendimeve të opozitës se miratimi i reformës është i njëanshëm për arsye politike, Shkëmbi u shpreh se debati i mbetet politikës jo ekspertëve. Ai thotë se nuk ka ende një studim që vlerëson reformën territoriale.

“Nëse miratimi i reformës territoriale u votua në 2014, zbatimi i saj u bë pas zgjedhjeve lokale të vitit 2015. Në qeveri jo rastësisht ekzistonte dhe pozicioni Ministri i Shtetit për pushtetin lokal. Ky institucion u angazhua në ndjekjen e të gjitha zhvillimeve të pushtetit lokal, duke koordinuar të gjitha autoritetet vendase dhe partnere ndërkombëtare në realizimin e një pune konkrete në funksion të reformës territoriale të vitit 2014. Asokohe u krijuan projektet STAR 1 dhe STAR 2.

U vendos buxhet në vitin 2015 për reformën territoriale, e cila u alokua përmes agjencisë për reformën territoriale, duke u angazhuar në mos ndërprerjen e shërbimeve në asnjë prej 61 bashkive të reja që u miratuan nga Kuvendi, duke përgatitur të gjithë procesin e transferimit dhe zbatimit të ndryshimit të hartës territoriale.

Po ta shohësh procesin e zhvilluar tanimë është i ngjashëm si ai në vitin 2014. Sot jemi në kushtet kur hedhim hapin e tretë, por ne na mungon hapi i parë dhe i dytë. Kjo pamundëson rishikimin e hartës territorial dhe e kemi të vështirë të gjykojmë se si të ecet më tej. Ne jemi këtu në më shumë se tre muaj. Kemi dëgjuar shqetësimet që ka patur opozita. Janë shqetësimet të natyrshme.

Opozita pretendon se miratimi i reformës është i njëanshëm për arsye politike, që reforma është e dështuar, apo që shpenzimet administrative janë rritur, apo që shërbimet janë përkeqësuar, autonomia financiare e cenuar, kompetencat e bashkive të vogla, banorët janë larguar nga bashkitë për mungesë përfaqësie…etj. Sigurisht ne si ekspertë nuk na intereson të shikojmë me këtë sy se sa këto deklarime i afrohen realitetit dhe sa një pjesë e tyre është deklarim politik. Ne duhet të japim opinionin tonë për këto vlerësime”, tha ai.

“Debati politik ju takon juve në këtë drejtim. Ajo që vlen për t’u përmendur është se edhe pas 7 vitesh, s’ka asnjë studim të plotë që të vlerësoj reformën territoriale, nëse do kishim do i ishim referuar atij dhe s’do kishte hapësira për debate”, tha Shkëmbi.

Duke ia lënë topin në derë politikës,  Partia Socialiste kërkon parimisht që për krijimin e një bashkie të re duhet të plotësohen kriteret e mëposhtme:

Të jete zonë funksionale.

Të mos dëmtojë zhvillimin ekonomik të bashkisë ekzistuese.

Të ketë një numër biznesesh dhe banorësh të përcaktuar.

Të jetë një territor që justifikon ndarjen.

Të ketë një numër të caktuar nxënësish për Arsimin parauniversitar dhe disa të tjera.

PD në anën tjetër ka propozuar shtimin e 33 bashkive në hartën territoriale duke shkuar nga 61 në 94 si dhe uljen e qarqeve nga 12 në 6, duke i etiketuar si rajone.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë