Nga Belfjore Qose*-Jam e revoltuar, njësoj si të gjithë maturantët, mësuesit e tyre, profesionistë të fushës së studimeve letrare, për provimin e letërsisë së Maturës Shtetërore.
Gjykoj se këtë vit është cënuar gjithçka me një test zhgënjyes, jo profesional, jo thelbësor, tallës dhe arbitrar. Ky është një status fillestar, por besoj fort se pas këtyre reagimeve personale, të ketë qëndrime të organizuara dhe serioze. Prandaj ju lutem te gjithëve, mos bëni meme, por revoltohuni! Mos kërkoni mëshirë, meqë ishte situata e pandemisë, por kërkoni të drejtën. Fundja testi le të ishte i vështirë, por jo me gabime.
Argumentet janë të thjeshta:
- Testi nuk mbështetet në njohuritë që nxënësit marrin në tre vite gjimnaz. Njohuri për të cilat ata dhe mesuesit e tyre bëjnë përpjekje të jashtëzakonshme.
- Testi nuk synon të masë dijet thelbësore, që lidhen me veçoritë e lëndës së letërsisë. Kjo mangësi vjen absolutisht në radhë të parë nga mungesa e pyetjeve me shtjellim dhe e esesë. Nxënësit kanë mësuar kaq vite si të bëjnë ese dhe është e pakonceptueshme që një provim letërsie të mos e përfshijë këtë komponent.
- Letërsia nuk është fusha e mendimeve të njësuara, pavarësisht se doni të mendojmë të gjithë njësoj! Teksti letrar ka vlerë pikërisht në polivalencën e tij, në funksionet e shumëfishta të detajeve. Prandaj shumica e pyetjeve për poezinë e Poradecit janë skandaloze! Janë të gabuara për çdokënd që njeh sadopak tekstin letrar, thelbin e tij, por edhe vetë autorin në fjalë.
- Tekstet joletrare ishin të shumta, kaotike, me pyetje aspak thelbësore, të palarmishme (disa pyetje vetëm për “tezën”) dhe të pambështetura në programin shkollor. Matja e njohurive gjuhësore ishte e papërfillshme!
- Modeli i testeve nuk duhet të ndryshojë kurrë më në moment të fundit.
- Koha ishte e pamjaftueshme, duke na kujtuar provimet e Toefl-it. Një vrapim nëpër tekste dhe pyetje kaotike te formuluara keq!
- Çelësi i testit duke nisur nga vetë natyra e pyetjeve dhe e alternativave do të jetë arbitrar.
- Ngjarje të tilla po bëjnë njerëzit të urrejnë letërsinë. Nuk ka asnjë dozë dashurie apo kureshtjeje për letërsinë në këtë test. Edhe pse më dhemb, gjykoj se më mirë ta hiqni fare si provim!
- Inteligjenca, vullneti, fuqia logjike dhe shpirtërore e nxënësve është më e lartë se testi. Po, ata janë në gjendje të gjykojnë kthjellët edhe pse janë shkatërruar nga ky test!
Sigurisht që mund të analizohej testi më në detaje, por kaq kisha mundësi për sot!
Ah po, ka dhe një shoqërim grotesk të procesit, të futjes së testeve nëpër zarfe të vulosur, hapjes së tyre solemne në momentin e duhur, për të lexuar… çfarë?! Kjo e fundit meriton nje tregim që të shkrin gazit!
*Belfjore Qose është pedagoge e Letërsisë në Fakultetin e Gjuhë-Letërsisë në Universitetin e Tiranës
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje