Politike

Testohet votimi elektronik, rezultati del për 30 minuta

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka testuar votimin elektronik, që sipas marrëveshjes së 5 qershorit do të pilotohet më 25 prill vetëm në njësinë numër 10 në Tiranë.

Testimi i zhvilluar në prani të Komisionerit të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi ka qenë i suksesshëm, ku nga simulimi, votuesit pasi identifikohen elektronikisht përmes shenjave të gishtërinjve dhe kartës së identitetit paraqiten para pajisjes elektronike të votimit për të shenjuar në ekranin me prekje (touchscreen) partinë dhe kandidatin e preferuar.

Gjatë këtij testimi u vu re se teknologjia shkurton si kohën e votimit, ashtu edhe atë të numërimit, madje brenda 30 minuta, siç tha Celibashi, më 25 prill në njësinë numër 10 në Tiranë mësohet rezultati i zgjedhjeve.

Por, gazetasi.al mëson se shpallja e rezultatit për këtë ZAZ do të shtyhet deri në momentin kur në njësitë e tjera administrative të Tiranës, procesi i numërimit të fletëve të votimit të jetë përmbyllur, ose të jetë mbi 90 për qind i numëruar.

Ndërkohë, Komisioneri i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi i bëri thirrje KAS-it që të marrë sa më shpejt vendim në lidhje me tre ankimimet e mbërritura nga PS, PD dhe BD në lidhje me fletën e votimit. KAS u mblodh këtë të shtunë ku dëgjoi palët.

PS këmbëngul se fleta e votimit duhet me numra për të shmangur mbingarkimin e saj me emra dhe për ta bërë atë më të thjesht për votuesit. PD mbështet fletën e votimit me emra, por kundërshton pozicionimin e saj horizontal (landscape) dhe kërkon pozicionim vertikal (portrait). Ndërkohë, Bindja Demokratike ka ankimuar logon me të cilën përfaqësohet në fletën e votimit, pasi sipas saj, logoja e miratuar nga KQZ nuk është dorëzuar prej kësaj force.

Vetë Celibashi u shpreh i habitur në lidhje me kundërshtitë për modelin e fletës së votimit. Ai kërkoi që KAS të dalë me një vendim këtë të shtunë, duke mos përjashtuar se palët e pakënaqura me këtë vendim të KAS ta apelojnë atë në Kolegjin Zgjedhor.

“Nuk prisja që të kishte kundërshti kaq të mëdha për fletën e votimit, palët duhet ta kuptojnë se e rëndësishme është që të mos humbasim në shumë kohë. Shpresoj që KAS të vendosë sot ndryshe do të “Nëse vendimi do të ankimohet në Kolegj i bëj thirrje publike, pa cenuar askënd në detyrën e tij, që në këtë çështje të vendosin sa më parë”, tha Celibashi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë