Futboll

Teuta fiton bindshëm në Vlorë, në një “sedilje” me Partizanin e Tiranën

Ndeshja mes Flamurtarit dhe Teutës, e ndërprerë dje për shkak të fushës së përmbytur nga reshjet e shiut, ka luajtur sot 81 minutat e mbetura. Ka dominuar Teuta, që ka fituar me rezultatin 1-3, falë dygolëshit të Emiljano Vilës dhe një goli të Sherif Kallakut. Trajneri Edi Martini, në dy ndeshje në krye të durrsakëve, ka marrë 6 pikë dhe tashmë “Djemtë e Detit” janë ngjitur në kuotën e 28 pikëve.

Ishte kjo ndeshja që mbylli vitin 2019 në Superiore, ku lufta për titullin kampion duket shumë e ashpër. Teuta mban vendin e 5-të, por është në të njëjtën kuotë pikësh me Partizanin dhe Tiranën, ndërsa kreu që mbahet nga Kukësi është vetëm 3 pikë larg. Vazhdon të qëndrojë në pozita pretenduese edhe Bylisi, me 1 pikë më pas se Kukësi dhe që nuk mund të konsisderohet më surprizë, pavarësisht se do ta ketë shumë të vështirë të rezistojë.

Flamurtari dhe Teuta dalin në fushë për vazhdimin e ndeshjes. Gazeta Si, 23 dhjetor 2019

Superiorja nis pushimet dhe e gjithë vëmendja është te merkato e dimrit, duke pritur afrimet dhe largimet e skuadrave me pretendime. Partizani dhe Tirana kanë më shumë punë se të tjerët, sepse para së gjithash duhet të gjejnë trajnerin e ri. Për bardheblutë nuk do të ishte çudi që të vazhdonin me Emanuel Egbo në stol, pasi me të në krye kanë marrë tri fitore radhazi.

Renditja aktuale e Superiores. Gazeta Si, 23 dhjetor 2019

Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë