Kukësi kryesues, Tirana, Teuta dhe Partizani zbresin sot në fushë për llogari të javës së 20-të të Superiores. Sigurisht, sytë janë te ndeshja që do të luhet në “Air Albania Stadium”, ku Tirana e vendit të dytë pret Teutën e vendit të tretë. Duket se stadiumi i ri u ka hyrë në qejf skuadrave të Superiores dhe Tirana ka lënë “shtëpinë” e saj për t’u spostuar disa qindra metra më tej, aty ku fitoi derbin me Partizanin pak kohë më parë. Me trajnerin Egbo në krye Tirana vetëm po fiton, por ndeshja e sotme është e sotme është nga më të vështirat për bardheblutë.
Kukësi kryesues shkon në Vlorë, ku e pret një Flamurtar në gjendje tejet kaotike. Nuk dihet se cilët lojtarë i kanë mbetur skuadrës vlonjate dhe parashikimi është që Kukësi të fitojë me lehtësi, edhe pse është një ndeshje transferte. Diferencat në kualitet mes dy skuadrave janë jashtëzakonisht të mëdha, ndaj dhe trepikëshi për të besuarit e Duros konsiderohet formalitet.

Ndeshja e tretë që luhet sot është ajo mes Luftëtarit dhe Partizanit. Ndryshe nga Flamurtari, Luftëtari duket se e ka stabilizuar disi situatën dhe do të përpiqet t’i bëjë ballë Partizanit. Kampionët në fuqi po kalojnë një krizë rezultatesh javët e fundit dhe sot janë “të dënuar” të fitojnë. Nën drejtimin e trajnerit Sormani, Partizani regjistron tri humbje, dy në kampionat dhe një në Kupë. Pas Esat Malës, drejtuesit e klubit të kuq kanë nxjerrë jashtë “loje” edhe mesfushorin Romero, lojtari që ka marrë kritikat më të ashpra në mbledhjen e fundit. Në Gjirokastër bën punë vetëm fitorja, pasi Partizani ka zbritur aktualisht në vend të 6-të.
Dy ndeshjet e tjera të javës së 20-të të Superiores, Laçi-Skënderbeu dhe Bylis-Vllaznia zhvillohen nesër. Kampionati udhëhiqet nga Kukësi me 34 pikë, i ndjekur nga Tirana me 1 pikë më pak.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje