Politike

“Babai i Osmanit, bashkëpunëtor i Serbisë”. Kryeparlamentarja: Thaçi, gjarpër!

Përplasja mes Vjosa Osmanit me Presidentin Hashim Thaçi dhe Qeverinë e drejtuar nga partia e saj ka marrë të tjera përmasa mbrëmjen e së martës. Duke folur në një intervistë televizive, Presidenti i Kosovës akuzoi familjarë të Vjosa Osmanit se gjatë kohës së luftës i kanë shërbyer Serbisë.

“Projektet e mia kanë qenë gjithmonë për t’u përballur me Serbinë dhe kështu kemi fituar lirinë dhe pavarësinë. Nëse dikush nga Osmani i ka shërbyer Serbisë në atë kohë, unë i kam luftuar ata. Po të isha në vend të Osmanit do të isha djersitur. Do të flas shumëçka nëse ajo vazhdon të shpifë”, është shprehur ai.

Komentet i bëri pas deklaratës së Vjosa Osmanit një ditë më parë që kërkoi të dijë nga Presidenti nëse vazhdon ta mbështesë idenë e ndarjes së Kosovës dhe shkëmbimit të territoreve me Serbinë. Thaçi nënkuptoi që po.

“Jam gjithmonë i përkushtuar që ta shtroj çdoherë çështjen e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit me ju bashkëngjit territorit të Republikës së Kosovës. Këtë e kam potencuar kudo dhe nuk do të lejoj forum ndërkombëtar, që nuk do ta përsëris”, u shpreh ai.

https://www.facebook.com/VjosaOsmaniMP/posts/1703847686444155

Kryetarja e Kuvendit i ka kthyer përgjigje menjëherë përmes një postimi në rrjetet sociale, ku e quan “Gjarpri”, sipas akuzave që janë bërë ndër vite nga një pjesë e ish-pjesëtarëve të UÇK-së që e kanë sulmuar si person që ka përçarë luftën për çlirim.

“Sonte, gjarpri paska provuar të kafshojë nderin e familjes sime. Babai im e ka njohur për Komandant suprem Dr. Ibrahim Rugovën. Me gjasë, prandaj, Thaçi po e shpallë familjen time tradhtare, njëjtë siç e shpallte Rugovën me komunikatat e tij të ’90-s e tutje. T’i shërbesh vendit tënd duke e njohur Rugovën si prijës, sipas Thaçit qenka sikur t’i shërbesh Serbisë. Shpallja e kundërshtarëve politik si bashkëpunëtorë të Serbisë u ka paraprirë gjithnjë sulmeve fizike e eliminimeve. E njëjta logjikë, si duket, po synohet të instalohet tash për të arsyetuar sulme të paramenduara e parapërgatitura”, shkruan ajo.

Osmani e cilëson “njollë të zezë” në historinë e LDK-së votën që i dha Thaçit për t’u zgjedhur President.

“Lidhja Demokratike e Kosovës do të jetë sërish lidhje me popullin vetëm në ditën kur kërkon falje të sinqertë e përkulet para qytetarëve për këtë gabim i cili po e qon vendin tonë drejt humnerës. Por ky vend nuk i është nënshtruar as regjimeve gjenocidale. Nuk do të dorëzohet as para shpifësve në rolin e Presidentit. E deri ateherë, kur ky popull do ja tregojë vendin secilit, me votë, ky njeri mbetet faqja më e zezë e vendit tonë”, mbyll reagimin e saj kryetarja e Kuvendit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë