Politike

Thaçi sulmon BE: Po e çon Ballkanin drejt ideve nacionaliste!

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka kritikuar sërish Bashkimin Europian për çështjen e liberalizimit të vizave dhe për krizën ku ndodhet dialogu me Serbinë, duke deklaruar se po e çon Ballkanin drejt ideve nacionaliste.

Gjatë Forumit për Sigurinë në Mal të Zi, ai këmbënguli se për të arritur një marrëveshje me Beogradin është i nevojshëm demarkacioni i kufirit.

“Nëse nuk arrijmë një marrëveshje përfundimtare me Serbinë, konsolidimi ndërkombëtar i Kosovës do të jetë me plotë pengesa dhe i gjatë. Kurrë në tavolinë nuk ka qenë ndonjë ide e shkëmbimit të territoreve, por për arritjen e marrëveshjes përfundimtare duhet ndodhë demarkacioni kufirit”, tha ai.

Thaçi tha po ashtu tha se BE-ja po vepron me standarde të dyfishta, në një kohë që Kosova i ka plotësuar të gjitha detyrimet e kërkuara.

“Unë jam veçanërisht i pakënaqur, që pavarësisht punës së mirë që ka bërë Kosova, Bashkimin Europian po bën vlerësime të standardeve të dyfishta”, deklaroi Thaçi.

Presidenti i Kosovës tha se se dialogu me Serbinë është në krizë, por pavarësisht kësaj, i pari i shtetit u shpreh se është momenti më i mirë për të arritur një marrëveshje në mes dy vendeve.

Sipas tij muajt e fundit ka pasur një keqkuptim dhe se shkëmbimi i territoreve nuk ka qenë kurrë në tavolinë. Megjithatë, presidenti shkoi më tej më këtë ide duke deklaruar se korrigjimet e kufijve kanë ndodhur dhe në shtete të tjera dhe se kufiri është një nga çështjet e hapura mes Serbisë dhe Kosovës.

Për të arritur një marrëveshje, Thaçi kërkoi angazhimin e BE-së dhe SHBA-së, duke thënë se nuk do të lejojë krijimin e një Republike Srpska në Kosovë.

“Të vazhdohet zbatimi i gjitha marrëveshjeve të vitit 2013 që janë në përputhje me ligjet e Kosovës. Nuk do të lejohet një Republike Serbe në Kosovë. Është një proces i ndjeshëm, për shkak të kaluarës së hidhur për shkak të asaj që ka ndodhur. Por nuk shoh moment më të mirë për të arritur një marrëveshje historike përfundimtare. Rruga më e vështirë dhe drejt është në rrafshin demokratik. Ne kemi fituar mbi 100 njohje, por kemi pengesa nga ana e Serbisë dhe Rusisë për njohjen dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare. Shqetësimi tjetër është që as BE-ja nuk ka arritur që të nxisë vendet anëtare për anëtarësimin tonë në Interpol” tha Thaci.

Krah tij, presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç u shpreh se çelësi i zgjidhjes së problemeve në rajon është arritja e një marrëveshje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë.

Po ashtu, Thaçi është shprehur se izolimi i Kosovës nga BE-ja, bën që të dalin në pah ide populiste dhe nacionaliste.

I pyetur për temat nacionaliste që po mbizotërojnë në rajon, presidenti Thaçi u shpreh se nëse BE është e pavendosur, mund të ketë ide që nuk janë në frymën euroantlantike.

“Rajoni nuk ka qenë kurrë më mirë. Mundësitë për mbylljen e çështjeve të hapura ekzistojnë, por vetë BE-ja duhet të jetë më e përgatitur për të na pranuar më shpejt. Mos të lejojmë që të shikohet me hezitim Ballkani Perëndimor. Sa më tepër që vonohet BE-ja, aq më shumë popullizëm dhe ide nacionaliste do të ketë në të gjitha shtetet e rajonit.. Nëse mbetet e izoluar, Kosova do të ketë ide dhe frymë më shumë populiste dhe nacionaliste”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë