Bota

Thellohet misteri për vrasjen e presidentit të Haitit

Detaje të reja që kanë dalë rreth një personi që konsiderohet si aktor kyç në vrasjen e presidentit të Haitit kanë thelluar dhe më tej misterin mbi vrasjen e tij, ngjarje e cila tronditi kombin prej më shumë se 11 milionë banorësh.

Autoritetet vendore kanë identifikuar të dyshuarin si 62-vjeçarin Christian Emmanuel Sanon, një shtetas nga Haiti i cili kohë më parë shprehu dëshirën për të udhëhequr vendin në një video të postuar në Youtube. Megjithatë, ai është një person i panjohur në rrethin politik ndërsa të afërm të tij pretendojnë se ai është mashtruar nga personat që fshihen realisht pas vrasjes së presidentit.

Një mik i Sanon nga Florida, i cili preferoi të mos ta bëjë të ditur identetin e tij për arsye sigurie, tha për Associated Press se i dyshuari është pastor Evangjelik dhe mjek i licencuar në Haiti, por jo në SHBA. Më tej, ai shtoi se Sanon pretendonte se kishte takuar persona që i ishin prezantuar si përfaqësues të Shteteve të Bashkuara të cilët donin ta vendosnin në postin e presidentit.

Ai tha se plani ishte vetëm për arrestimin e Moise dhe se nuk do kish marrë pjesë nëse do ta dinte se presidenti do të vritej.

Sipas shefit të policisë, Leon Charles, vrasësit e presidentit po mbrojnë Sanon, të cilin e akuzoi se po bashkëpunonte me ata që kishin planifikuar vrasjen.

Charles deklaroi se policët kishin gjetur një kapele me logon e  DEA, 20 kuti me plumba, pjesë armatimesh, 4 targa nga Republika Domenikane si dhe dy makina në shtëpinë e Sanon në Haiti.

26 ish-ushtarë kolumbianë dyshohet se kanë qenë të përfshirë në vrasjen, 23 prej të cilëve janë arrestuar, përfshi me 3 vendas. Charles raportoi se 5 të dyshuar janë ende në kërkim ndërsa 3 të  tjerë janë vrarë.

Sipas Agjencisë të luftës kundër drogës, e njohur gjerësisht si DEA, një prej të dyshuarve në vrasjen e Moses punonte herazi si një burim konfidencial i agjencisë, dhe se i ishte kërkuar të dorëzohej pas vrasjes së presidentit. Zyrtari tha se DEA dhe një zyrtar i Departamentit të Shtetit i dhanë qeverisë së Haitit informacione që çuan drejt dorëzimit dhe arrestimit të një të dyshuari.

Shefi i Policisë kolumbiane Jorge Luis Vargas tha se një sipërmarrje me seli në Florida përdori kartën e kreditit të kompanisë për të blerë 19 biletat e avionit të personave të dyshuar në ngjarje me nisje  nga Bogota.

Ai shtoi më tej se Sanon shkoi me avion privat në Haiti në muajin qershor i shoqëruar me disa prej të dyshuarve. Të dyshuarve iu është thënë së pari se detyra e tyre ishte mbrojtja e Sanon, por më pas u është dhënë urdhër për arrestimin e presidentit, tha Charles.

Charles deklaroi se pas vrasjes së Moise, një i dyshuar i quajtur Sanon, u vu në kontakt me dy persona që mendohen se ishin planifikuesit kryesorë të vrasjes.

Sanon ka jetuar në Kansas Siti të Misurit ku shpalli falimentin në 2013 dhe u vetëshpall si mjek në një video të postuar në Youtube e titulluar “Udhëheqja për Haitin” në të cilën denonconte liderët aktual si persona të korruptuar dhe i akuzonte se kishin zhvatur pasuritë natyrore të vendit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë