Tirana është në momentin e saj më të mirë. Vetëm 1 pikë larg kreut dhe në çerekfinale të Kupës së Shqipërisë, ku ndeshet me Besëlidhjen. Në garë për të dy trofetë, por kuptohet që titulli kampion do të ishte dhurata më e mirë për 100-vjetorin e krijimit të klubit të madh kryeqytetas.
Mbrëmjen e sotme bardheblutë mund ta shohin veten në krye të klasifikimit, sepse me një fitore të mundshme ndaj Skënderbeut e parakalojnë Kukësin e vendit të parë. Dhe këtë herë mund të mos jetë një parakalim momental. Kukësi luan nesër në fushën e Bylisit dhe mund të ndalet, kështu që motivimi për fitoren e radhës është në shkallën maksimale te Tirana. Ndeshja me Skënderbeun zhvillohet në “Air Albania Stadium”, ku bardheblutë kanë pasur sukses në atë ndeshje që kanë luajtur, duke filluar me derbin, që konsiderohet edhe pika kyçe në rilindjen e Tiranës.

Në këtë stadium Tirana ka mundur edhe Teutën dhe po të njëjtën gjë shpreson të bëjë sot ndaj Skënderbeut. Ndeshja luhet në orën 17:00 dhe pritet që në shkallët e stadiumit të ketë një numër të madh tifozësh, të cilët tashmë janë më entuziastë se kurrë për titullin kampion. Trajneri Emanuel Egbo, edhe ai një nga protagonistët e rilindjes bardheblu, nuk ka mungesa për ndeshjen e sotme dhe pritet të luajë me formacionin tip.

Në krahun tjetër korçarët, të cilët shpresojnë të ndalin vrullin e Tiranës, kanë disa lojtarë në dyshim, si Krasniqi dhe Bregu, ndërsa Ndeki nuk është i disponueshëm. Skënderbeu mbetet ende në zonën e “play-out”-it dhe ka nevojë për pikë, por ndaj Tiranës do të ketë shumë të vështirë. Katër ndeshjet e tjera të javës së 22-të të Superiores luhen nesër dhe janë mjaft të forta. Bylisi-Kukësi, Laçi-Partizani dhe Teuta-Vllaznia janë sfida jo pak përcaktuese për zonën europiane, kurse Luftëtari dhe Flamurtari, dy vendet e fundit, ndeshen mes tyre në Gjirokastër.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje