Nga Prishtina te Tirana. Portieri i kombëtares kosovare, Visar Bekaj, është zyrtarizuar si blerja më e fundit e kampionëve të Shqipërisë, të cilët tashmë janë thuajse të kompletuar. Bardhebluve u duhet edhe një sulmues për të qenë “të blinduar” në çdo repart. Portieri 23-vjeçar ishte prej kohësh një objektiv i merkatos së Tiranës dhe të shtunën në mbrëmje ka ardhur zyrtarizimi i marrëveshjes 3-vjeçare.

Njoftimi i klubit
Visar Bekaj është afrimi më i ri i Tiranës në këtë merkato. Klubi ka arritur blerjen e kartonit të portierit të suksesshëm të Prishtinës. Me një karrierë të pasur brenda IPKO Superliga Kosovës, si edhe portieri i Kombëtares së Kosovës, 23-vjeçari është tashmë një element kyç në përbërjen e skuadrës dhe vjen si gardiani i portës bardheblu për tre vitet e ardhshme. I bindur se do të japë maksimumin e tij për fanellën e re që do të mbajë veshur, Bekaj bëhet pjesë i ekipit më të madh dhe më të titulluar në vend.

Portën e Tiranës sezonet e fundit e ka mbrojtur veterani Ilion Lika. Me afrimin e Bekajt, klubi kryeqytetas është i sigurt se ka bërë një investim të rëndësishëm për skuadrën, duke marrë një portier me kualitet dhe të ri në moshë. Gjatë merkatos së verës bardheblutë kanë marrë disa lojtarë, sidomos në prapavijë, ku janë afruar maqedonasit Toshevski dhe Najdovski, Toli dhe Tafa.
Trajnerit Emanuel Egbo i nevojitet tani edhe të paktën një sulmues, pasi janë larguar anglezi Ngo dhe afrikani Dunga, ndërkohë që edhe Ernest Muçi është drejt shitjes. Synimet e Tiranës mbeten madhore. Ajo vazhdon aventurën në Kupat e Europës, ndërsa në kampionat kërkon të mbrojë titullin kampion.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje