Tirana forcon mbrojtjen me lojtarin e ekipit Shpresa të Shqipërisë, Shaqir Tafa. Lojtari 21-vjeçar ka firmosur kontratën që e bën atë bardheblu për dy vitet e ardhshme, siç konfirmon vetë klubi kryeqytetas në njoftimin zyrtar për afrimin e fundit. Mbrojtësi është i gatshëm për trajnerin Emanuel Egbo që në ndeshjen e radhës.
Me ardhjen e Tafës rritet shumë konkurrenca në repartin e prapavijës, pasi gjatë merkatos së verës janë afruar edhe maqedonasit Najdovski dhe Toshevski, të dy titullarë ndaj Crvena Zvezdës, por edhe Toli, një tjetër lojtar i Kombëtares U-21. Tafa ka lindur në Fondi të Italisë dhe i ka të dyja nënshtetësitë, italiane dhe shqiptare. Ai është aktivizuar me Palermon, Monopolin dhe Kuneon në vendin fqinj, ndërsa tani bëhet pjesë e kampionëve të Superiores.

Njoftimi i klubit
Shaqir Tafa është zyrtarisht bardheblu! Qendërmbrojtësi ka firmosur kontratën që e bën pjesë të Tiranës për dy vitet e ardhshme. Talenti i Kombëtares U-21 të Shqipërisë vjen si një përforcim me vlera për skuadrën. Pas kryerjes së gjithë analizave të nevojshme, Tafa është gati t’i bashkohet ekipit. Ne i urojmë suksese me fanellën bardheblu!
Tashmë bardheblutë kanë nevojë të përforcojnë sulmin. Anglezi Majkëll Ngo nuk rinovoi me Tiranën dhe mungesa e tij u ndje, por kryeqytetasit me shumë mundësi do të humbasin edhe talentin Ernest Muçi, i cili pritet të shitet në një skuadër të huaj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje